Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, në një rast që lidhet me prokurimin e terminaleve videolotarie për “Lotarinë Shtetërore”, me të cilin, sipas aktakuzës, shoqërisë aksionare i është shkaktuar dëm prej 507.632.173 denarësh.
Edhe pse Prokuroria në njoftimin e saj nuk i ka bërë publike emrat e të akuzuarve, nga përshkrimi i funksioneve të tyre dhe të dhënat publike rezulton se bëhet fjalë për ish-drejtorin e përgjithshëm të “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajramin, ish-zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubin, ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Metodija Dimoskin, si dhe ish-kryetarin e Bordit Mbikëqyrës Skender Mehmetin dhe anëtarët Bojan Janev, Bashkim Avdijin, Fatmir Ramadanoskin dhe Aleksandar Dimitrijoskin, ka publikuar 4news.mk. Pikërisht kjo përbërje e Bordit Mbikëqyrës ishte bërë publike në tetor të vitit 2023.
Metodija Dimoski në atë periudhë e ushtronte funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, gjë që konfirmohet edhe nga njoftimet zyrtare të Qeverisë. Nga ana tjetër, është konfirmuar publikisht se Grubi kishte kryesuar një seancë të Qeverisë në të cilën ishin marrë vendime lidhur me funksionimin e “Lotarisë Shtetërore”.
Sipas Prokurorisë, tetë të akuzuarit gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë ndërmarrë në mënyrë të përbashkët veprime me të cilat kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre, me qëllim që shoqërisë aksionare t’i shkaktojnë dëm të konsiderueshëm.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin në dijeni se “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie në territorin e shtetit. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte futur si kontribut jo-monetar, i vlerësuar në 6.244.898 euro, gjatë themelimit të Shoqërisë për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore Videolotaria e Republikës së Maqedonisë – Casinos Austria”, në këmbim të së cilës “Lotaria Shtetërore” kishte fituar 51 për qind të kapitalit themeltar.
Pavarësisht kësaj, sipas aktakuzës, ish-drejtori i përgjithshëm Perparim Bajrami më 9 maj 2023 i kishte dorëzuar ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimoskit, një informacion për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit.
Në informacion thuhej se vlera e prokurimit përbënte 42 për qind të vlerës kontabël të pasurisë së shoqërisë dhe se bëhej fjalë për një marrëveshje të madhe, për miratimin e së cilës ishte kompetent Bordi Mbikëqyrës.
Sipas Prokurorisë, Dimoski më 6 qershor 2023 e kishte propozuar informacionin si pikë shtesë të rendit të ditës në një seancë të Qeverisë, ndonëse duhej ta kthente te parashtruesi ose ta përcillte te organi kompetent.
Si i akuzuari i dytë në njoftim përshkruhet Artan Grubi, i cili, sipas Prokurorisë, kishte ndikim real në drejtimin e “Lotarisë Shtetërore”. Ai kishte kryesuar seancën e Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të Aksionarëve të shoqërisë dhe kishte propozuar që pika e plotësuar të miratohej, ndonëse, sipas Prokurorisë, ishte i vetëdijshëm se një vendim i tillë nuk ishte në kompetencë të Qeverisë si Kuvend i Aksionarëve të shoqërisë.
Informacioni më pas ishte miratuar, ndërsa “Lotaria Shtetërore” ishte ngarkuar të fillonte aktivitetet për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe të realizonte prokurim publik të terminaleve videolotarie.
Prokuroria akuzon gjithashtu ish-kryetarin dhe katër anëtarët e Bordit Mbikëqyrës se, edhe pse ishin në dijeni se procedura ligjore nuk ishte respektuar, kishin marrë vendim për miratimin e fillimit të prokurimit publik si një marrëveshje e madhe.
Prokurimi ishte realizuar dhe, me detyrimet e marra për pagesë, sipas aktakuzës, “Lotarisë Shtetërore” i ishte shkaktuar dëm prej 507,6 milionë denarësh.
Për Perparim Bajramin, i cili vazhdon të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim, i cili do të fillonte të zbatohej nga momenti i gjetjes dhe privimit të tij nga liria.
Për Artan Grubin është propozuar vazhdimi i arrestit shtëpiak, së bashku me masat për marrjen e përkohshme të pasaportës dhe ndalimin e lëshimit të një dokumenti të ri për kalimin e kufirit shtetëror. Grubi prej disa muajsh ndodhet në arrest shtëpiak në kuadër të procedurës për rastin e “Lotarisë Shtetërore”.
Për të akuzuarit e tjerë, Prokuroria kërkon masa kujdesi – paraqitje periodike në gjykatë, marrjen e përkohshme të dokumenteve të udhëtimit dhe ndalim të afrimit, vendosjes ose mbajtjes së kontakteve me persona të caktuar.
Aktakuza tani duhet t’i nënshtrohet vlerësimit gjyqësor, ndërsa të gjithë të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.




