28.8 C
Skopje
E mërkurë, 26 Gusht, 2026

Kurti: Besojmë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, presim të kthehen të lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherë edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u pyet për idenë që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, t’i vazhdohet mandati në krye të shtetit pas kthimit nga Haga, përcjell TV21. Kurti tha se procesi i drejtësisë në Hagë është i ndarë me bisedimet me që kanë me Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjetjen e një emri për president konsensual. Kurti tha që pret që krerët e UÇK-së të kthehen të lirë në vend dhe theksoi se beson në pafajësinë e tyre.

“Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, bartëse dhe organizatore së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është luftë e drejtë, çlirimtare, anti-kolonialiste kundër okupatorit shekullor serb dhe nuk ka proces gjyqësor, as në vend, as jashtë tij, që mund ta njollosë UÇK-në. Ne shpresojmë më të mirën dhe dëshirojmë që të na kthehen në Kosovë të lirë. Besojmë në pafajësinë e tyre dhe kjo është kryesorja. Në anën tjetër, procesi i negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës për kandidatin për president ose presidente është një proces i ndarë. Është proces politik dhe jo i drejtësisë”, tha Kurti.