22.8 C
Skopje
E premte, 28 Gusht, 2026

Vetëm 9 shqiptarë nga 310 nxënës në Shkollën e Policisë “7 Maji”

Vetëm nëntë nxënës shqiptarë, nga gjithsej 310 të pranuar, do ta ndjekin programin dyvjeçar në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”, e njohur më herët si Akademia e Policisë, shkruan gazeta KOHA.

Sipas listës së publikuar me renditjen e nxënësve të pranuar, përfaqësimi i shqiptarëve në gjeneratën e re është më pak se 3 për qind. Nga 310 nxënës gjithsej, vetëm nëntë janë shqiptarë, ndërsa pas përfundimit të shkollimit dyvjeçar, mësim.që do zhvillohet vetëm në maqedonisht, të gjithë kandidatëve u garantohet punësimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pa shpallje publike, në vendin e punës – polic.

Nxënësit e pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji” duhet të paraqiten më 1 shtator 2026, në orën 10:00, në Akademinë e Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Idrizovë. Ata duhet të jenë të shoqëruar nga prindi, kujdestari ose përfaqësuesi ligjor, i cili duhet të ketë me vete dokument identifikimi, me qëllim të nënshkrimit të marrëveshjes për shkollim.

Në njoftimin e Akademisë së Policisë theksohet se nxënësit do të qëndrojnë në Akademi deri më 4 shtator 2026, në orën 15:00.

“Për shkak të akomodimit të nxënësve në konvikt, ata duhet të marrin me vete veshje, veshje sportive, mjete për higjienë personale dhe sende të tjera personale, por jo sende personale me vlerë. Theksojmë se nxënësit e pranuar duhet të çregjistrohen nga shkolla e mesme ku kanë qenë nxënës të rregullt, si dhe të kërkojnë të çregjistrohen nga sistemi EMIS/ESARU për ditarin elektronik”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Policisë.

Ndryshe, në konkursin publik të shpallur më 2 korrik, ishte përcaktuar që kandidatët për regjistrim në Shkollën e Mesme të Policisë të plotësonin disa kushte të përgjithshme dhe të veçanta.

Sipas kritereve të përcaktuara, secili kandidat duhej të ishte shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe, në ditën e publikimit të thirrjes publike për pranimin e nxënësve, të mos e kishte mbushur moshën 18-vjeçare.

Një ndër kushtet e përgjithshme ishte edhe përdorimi aktiv i gjuhës maqedonase. Kandidatët, gjithashtu, duhej të ishin të aftë nga aspekti shëndetësor dhe psikofizik. Sa u përket kushteve të veçanta, kandidatët duhej t’i kishin përfunduar dy vitet e para të arsimit të mesëm me sukses të përgjithshëm së paku “mirë”.

Njëkohësisht, ndaj kandidatëve nuk duhej të ishte shqiptuar asnjë masë pedagogjike në shkollën e mesme ku kishin përfunduar vitin e parë dhe të dytë.

Kandidatët duhej t’i zotëronin edhe aftësitë e nevojshme motorike, ta kalonin testin e njohurive të përgjithshme dhe ta përfundonin me sukses intervistën, përkatësisht bisedën individuale me komisionin përkatës.

Për nxënësit e regjistruar në Shkollën e Mesme të Policisë, Ministria e Punëve të Brendshme siguron akomodim në konviktin e nxënësve në kuadër të Akademisë së Policisë, ushqim dhe uniformë pune.

Pas përfundimit të programit dyvjeçar në Shkollën e Mesme të Policisë, Ministria e Punëve të Brendshme do të lidhë marrëdhënie pune me nxënësit e diplomuar pa shpallje publike, duke i punësuar në vendin e punës – polic.

Në këtë mënyrë, përbërja e gjeneratës së pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë pritet të reflektohet drejtpërdrejt edhe në strukturën e ardhshme të punësimeve në polici. Me vetëm 9 shqiptarë nga 310 nxënës, pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë gjeneratë mbetet nën 3 për qind. (koha.mk)