Sulmi ndaj një gjinekologu në poliklinikën “Bukurështi” në Shkup ka rikthyer debatin për sigurinë e punonjësve shëndetësorë në Maqedoninë e Veriut.
Gjinekologu Dejan Ognenoviq u sulmua në ordinancën e tij, duke pësuar lëndim në një rruazë të qafës. Sipas dëshmisë së tij, sulmi ishte kulmimi i një serie kërcënimesh që kishte marrë gjatë periudhës së kaluar. Rastin e ka denoncuar në polici më 16 shtator.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe se më pas do të dorëzohet kallëzim penal te Prokuroria kompetente.
Mbi 70 për qind e mjekëve janë përballur me dhunë
Të dhënat e Odës së Mjekëve tregojnë një situatë shqetësuese. Sipas anketave anonime, 78 për qind e mjekëve kanë qenë të ekspozuar ndaj një forme dhune. Rreth 80 për qind e rasteve kanë të bëjnë me dhunë verbale, ndërsa 6.8 për qind me dhunë fizike.
Megjithatë, shumica e rasteve nuk raportohen. Vitin e kaluar janë regjistruar vetëm tri denoncime për dhunë ndaj punonjësve shëndetësorë.
Oda e Mjekëve dënon ashpër sulmin dhe thekson se dhuna nuk mund të jetë mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Sipas tyre, sulmi ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë kryerjes së detyrës trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar dhe parashikon edhe dënim me burg.
Më të rrezikuar janë ekipet e Urgjencës dhe Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, ndërsa problem në rritje janë edhe kërcënimet dhe ofendimet përmes rrjeteve sociale.
Mjekët kërkojnë masa më të forta sigurie, videokamera, protokolle të qarta për reagim ndaj incidenteve dhe përmirësim të komunikimit me pacientët. Ndërkohë, janë propozuar edhe butona paniku në institucionet shëndetësore, të lidhur me sistemet e alarmit për reagim më të shpejtë të institucioneve. (INA)




