Duke i parë deklaratat e fundit të bashkëkryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami, për mundësinë e përfshirjes së Ziadin Selës dhe Lidhjes Shqiptare në Qeveri kanë hapur një sërë pikëpyetjesh mbi prapavijën politike të kësaj iniciative.
Kasami ka deklaruar se ka bisedime për zgjerimin e Qeverisë dhe se këto bisedime mund të përfshijnë edhe subjektin e Ziadin Selës. Ai, megjithatë, ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për përfshirjen e Selës në VLEN, por për mundësinë që Lidhja Shqiptare të bëhet pjesë e Qeverisë.
Por, nga ana tjetër, Lidhja Shqiptare ka dhënë një qëndrim krejt tjetër, duke deklaruar se nuk e sheh veten pjesë të këtij pushteti.
Pse atëherë këmbëngul Kasami?
Një prej pyetjeve që shtrohet është se çfarë interesi politik ka VLEN-i për afrimin e Ziadin Selës në Qeveri.
Kjo pyetje merr peshë sidomos kur shihet harta elektorale e Njësisë Zgjedhore 5, ku në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 koalicioni Fronti Evropian kishte marrë 26.640 vota, kundrejt 10.728 votave të VLEN-it. Në atë garë, Ziadin Sela ishte bartës i listës së Frontit Evropian në këtë njësi, ndërsa VLEN-i garonte me Salim Sulejmanin si bartës liste.
Këto rezultate e bëjnë Zonën 5 një terren ku raporti i forcave mes subjekteve shqiptare ka qenë dukshëm më i favorshëm për kampin ku garonte Sela.
Në anën tjetër, Lidhja Shqiptare ka kundërshtuar publikisht idenë e përfshirjes në Qeveri. Pas deklaratave të Kasamit, nga kjo parti u tha se nuk e shohin veten pjesë të një pushteti të tillë.
Kjo krijon një kontrast të qartë. Nga njëra anë Kasami thotë se ka komunikim dhe bisedime për përfshirjen e Lidhjes Shqiptare në Qeveri, ndërsa nga ana tjetër përfaqësuesit e Selës e mohojnë një skenar të tillë.
Madje, Kasami vazhdoi të deklarojë se ka komunikim dhe bisedime për përfshirjen e Lidhjes Shqiptare në Qeveri, ndërsa Sela dhe përfaqësues të tjerë e kanë mohuar këtë mundësi.
Përveç aspektit të zgjerimit të Qeverisë, mbetet e hapur edhe një pyetje tjetër: a mund të kenë deklaratat e Kasamit edhe një dimension elektoral?
Zona 5 është një prej hapësirave ku VLEN-i ka pasur rezultat dukshëm më të dobët se Fronti Evropian në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Prandaj, insistimi publik për përfshirjen e Selës mund të shihet edhe në kontekstin e përpjekjeve për të krijuar një afrim me një strukturë që ka pasur peshë elektorale në këtë zonë.
Në këtë situatë, pyetja kryesore mbetet: Nëse Ziadin Sela dhe Lidhja Shqiptare nuk duan të bëhen pjesë e Qeverisë, pse Bilall Kasami vazhdon të flasë për bisedime dhe për mundësinë e zgjerimit të Qeverisë pikërisht me këtë subjekt?
Dhe, mbi të gjitha, a është kjo vetëm çështje e numrave qeveritarë, apo VLEN-i po kërkon përmes afrimit me Selën të forcojë pozitat e veta edhe në Zonën 5, aty ku në zgjedhjet e vitit 2024 diferenca elektorale ishte e ndjeshme?




