20.8 C
Skopje
E hënë, 5 Tetor, 2026

Shaqiri: Po ta nxjerrin durimin prej kontrollit, nga budallallëqet në emër të UÇK-së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha, ka reaguar lidhur me protestat e fundit në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për, siç thotë ai, keqpërdorimin e emrit dhe emblemës së UÇK-së, informon POPULLI.mk

Shaqiri thotë se durimi i tij po vihet në sprovë nga, siç i cilëson ai, veprimet e disa personave që po protestojnë në emër të UÇK-së.

“Po ta nxjerrin durimin prej kontrollit, edhe pse me zor po e mbajmë nga budallallëqet që bëjnë të tjerët në emër të UÇK-së”, shkruan Shaqiri.

Ai shprehet se gjatë protestave ka parë persona që, sipas tij, kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit dhe disa prej tyre kanë bartur emblemën e UÇK-së.

Shaqiri thotë se nuk është ftuar nga ish-bashkëluftëtarët e tij dhe se nuk ka parë në videot e protestave shumë prej personave me të cilët ka marrë pjesë në luftën e Kosovës.

“Na kanë mundur dhe kaq. Ne që kemi marrë pjesë në luftime na thonë se jemi rreth 20 mijë veteranë, ndërsa këta falsët janë mbi 40 mijë”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, Shaqiri kujton edhe sakrificën e veteranëve gjatë luftës dhe raportin e tyre me institucionet e pasluftës. Ai thotë se edhe në rastet kur një polic mund t’i bëjë padrejtësi, ai nuk do ta ngrinte zërin, duke theksuar se kjo lidhet me respektin ndaj idealit dhe sakrificës së luftëtarëve.

“Jo prej tutës, sepse ne veteranët i kemi urryer uniformat e policisë dhe me kënaqësi, siç i kemi stërvitur, uniformat i kemi praptuar. Por prej respektit ndaj idealit, sakrificës sonë, ku disa herë në ditë e ndjenim vdekjen në afërsi, gjatë luftimeve”, shkruan Shaqiri.

Sipas tij, pikërisht kjo sakrificë është bërë që familjarët, kushërinjtë, bashkëfshatarët, bashkëqytetarët dhe bashkëkombësit të mund të jetojnë sot në një Kosovë të lirë.

Duke komentuar tensionet gjatë protestave, Shaqiri kritikon sharjet, ofendimet dhe sulmet, duke theksuar se Kosova nuk është pronë e askujt për t’u shkatërruar sipas interesave politike.

“Kosova nuk është vetëm e jotja që ta shkatërrosh kur të duash e si të duash dhe të shkelësh mbi kontributin tonë, shokëve tanë dëshmorë dhe sakrificat e gjeneratave të së kaluarës”, shprehet ai.

Në fund, Shaqiri thotë se protestat janë të drejta dhe të nevojshme kundër, siç e cilëson ai, padrejtësisë së bërë ndaj UÇK-së nga Gjykata Speciale dhe vendimeve të saj, por kundërshton atë që e quan “anarki për pushtet”.

“Protesta po, denjësisht, kudo qoftë në Kosovë, kundër Gjykatës dhe vendimit të padrejtë që i është bërë UÇK-së, por jo anarki për pushtet”, përfundon Shaqiri.