Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka reaguar pas akuzave të BDI-së lidhur me shitjen e kompanisë farmaceutike “Phoenix Pharma” te kompania serbe VEGA, transaksion që sipas BDI-së është miratuar më 3 prill 2025.
Në një përgjigje për TV Koha, Taravari ka mohuar të ketë pasur informacion për këtë transaksion, duke theksuar se shitblerja e kompanive private nuk është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Kompanitë private, kush i shet dhe kush i blen, nuk janë çështje që bien në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk kam pasur asnjë informacion se kush e ka shitur apo blerë ndonjë kompani të caktuar. Kjo nuk është përgjegjësi e ministrit dhe as e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka deklaruar Taravari për TV Koha.
Deklarata e tij vjen pasi BDI ngriti pikëpyetje për marrjen e kontrollit të “Phoenix Pharma” nga kompania serbe VEGA, duke vënë në fokus edhe periudhën kur Taravari drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.




