12.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Osmani në Bruksel për takime me NATO-n dhe BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së Bujar Osmani sot dhe nesër është për vizitë pune në Bruksel, ku do të ketë takime me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetarin e Komisionit Evropian, Xhosep Borel, si dhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mirçe Xhoana.

Krahas prezantimit të programit të OSBE-së, në takimet në Bashkimin Evropian do të shkëmbehen mendime për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me OSBE-në, në radhë të parë me Komisionin Evropian dhe institucionet e BE-së, me fokus të veçantë në rolin dhe punën e misioneve në terren të Organizatës në rajonin më të gjerë të Evropës Juglindore, bëri të ditur MPJ-ja.

Në kuadër të vizitës në NATO, Osmani do të marrë pjesë në një seancë të posaçme tematike të Këshillit të Atlantikut të Veriut (CAC) të NATO-s, ku do të shkëmbehen mendime për sfidat aktuale të sigurisë dhe rolin e OSBE-së në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së kontinentit.

Përveç me Borelin dhe Xhoanën, Osmani do të ketë takime të veçanta edhe me të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor – Mirosllav Lajçak, si dhe me komisarin evropian për Menaxhimin e Krizave – Janez Lenarçiq.

Të ngjajshme

Të fundit