35.6 C
Skopje
E hënë, 10 Gusht, 2026

A ka ardhur koha për një “tryezë të përbashkët” mes VLEN-it dhe Frontit Europian ?

Zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut po ndodhin me ritëm të shpejtë. Qeveria e re u formua gati 1 vit, partitë po pozicionohen përballë njëra-tjetrës sot, ndërsa vendi ndodhet para sfidave serioze për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit europian, informon POPULLI.mk

Në këtë kontekst, shpeshherë është ngritur ideja për zgjedhje të parakohshme. Vetë Fronti Europian dhe Bashkimi Demokratik për Integrim disa herë kanë artikuluar kërkesa të qarta për rikthim te qytetarët, duke e konsideruar qeverinë aktuale si të brishtë dhe jofunksionale, gjithashtu pa legjitimitet etnik. Kjo dinamikë po e polarizon më shumë skenën politike, përfshirë edhe vetë bllokun politik shqiptar.

Në këto rrethana, shtrohet pyetja: A është i domosdoshëm një takim i drejtpërdrejtë mes liderëve shqiptarë nga VLEN dhe Fronti Europian?

Për shumëkënd, përgjigjja është po. Pavarësisht dallimeve ideologjike, garës politike apo prapaskenave elektorale, nevoja për një komunikim të hapur dhe institucional midis përfaqësuesve politikë shqiptarë është më e madhe se kurrë më parë. Takimi i liderëve do të duhej të shërbente si një akt përgjegjësie politike, si një përpjekje për të shmangur përplasjet e panevojshme dhe për të ruajtur unitetin kombëtar në çështjet kyçe që prekin shqiptarët.

Një platformë e përbashkët për çështje të interesit strategjik – si decentralizimi, barazia në institucione, eurointegrimet dhe investimet në zonat me shumicë shqiptare – do të ishte më shumë se një gjest simbolik: do të ishte një mesazh force dhe serioziteti për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Nëse politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut dëshiron të avancojë me dinjitet dhe përgjegjësi, atëherë nuk ka alternativë tjetër veçse dialogut të sinqertë dhe koordinimit të qëndrimeve për çështjet madhore. / © POPULLI.mk