3.8 C
Skopje
E enjte, 1 Janar, 2026

“A po i dhuron Mickoski Ali Ahmetit 170.000 vota me deklaratat e tij?”

“A po i dhuron Mickoski Ali Ahmetit 170.000 vota me deklaratat e tij?”

Në politikë, shpesh ndodh që armiku yt më i madh të të bëhet mik i rastësishëm. Kjo po i ndodh edhe Ali Ahmetit me Mickoskin. Sepse me secilën deklaratë që kreu i VMRO-së lëshon për BDI-në, nuk është se ia shkurton jetën politike, përkundrazi – ia zgjat frymëmarrjen.

VLEN, në anën tjetër, shpreson e bind veten se po e ka mbështetjen e Mickoskit. Por nëse i dëgjon me kujdes fjalët e tij, del se ky “mbështetës” është më shumë sponsor elektoral i BDI-së, sesa i opozitës shqiptare. Sepse kur thua se BDI do të mbetet gjatë në opozitë, pa e kuptuar e ndez zjarrin e nacionalizmit shqiptar që përherë i ka ushqyer votat e Ali Ahmetit.

VLEN shkon nëpër sheshe duke thënë: “Ja, edhe Mickoski është me ne.” Por a e dinë ata se me këtë retorikë Mickoski po i jep Ali Ahmetit argumentin më të fortë? Argumentin se “shqiptarët duhet të bashkohen përballë kërcënimit maqedonas”. E kush tjetër përveç Aliut di ta luajë më mirë këtë kartë?

Në vend që të ia bëjë më të lehtë VLEN-it, Mickoski, ndoshta pa dashje, i jep Aliut një bonus prej 170.000 votash në zgjedhjet lokale. Një dhuratë që as kundërshtarët më të zjarrtë të BDI-së nuk do t’ia falnin.

Dhe kështu, Mickoski, duke dashur ta shembë Aliun, po e forcon. Ndërsa VLEN, duke dashur ta përdorë Mickoskin si trampolinë, po e shndërron në gur të rëndë që tërheq poshtë.

Në fund të ditës, mund të ndodhë që historia e zgjedhjeve lokale të shkruhet jo me numrat e Mickoskit, as me shpresat e VLEN-it, por me dhuratën e madhe që lideri i VMRO-së, me gojën e tij, ia bën Ali Ahmetit.

Sepse në politikë, jo gjithmonë e ke armikun përballë. Nganjëherë, e ke mikun pranë. Dhe ky mik, siç po shihet, mund të të dhurojë më shumë se sa mund të marrësh vetë.

Të ngjajshme

Të fundit