Ndeshja e 24 marsit mes Shqipërisë dhe Andorrës për kualifikueset e “Kupës së Botës 2026”, krijoi një përplasje mes tifogrupit të ultrasve “Tifozat Kuq e Zi” dhe FSHF-së. Federata vendosi të hiqte biletat e rezervuara, duke argumentuar se kërkon t’u japë mundësi të gjithëve për të siguruar një biletë.
Migjen Elmasllari, anëtar i tifogrupit, argumentoi sot në “Shqipëria Live” pse janë të pakënaqur me këtë vendim. Ai tha se po bëhet si hakmarrje për kundërshtimin që ata i bënë organizimit të Euro U-21 në bashkëpunim me Serbinë.
“Reagimi që ka bërë Federata ne e dinim më parë sepse na është fërguar me e-mail. Federata po përpiqet të krijojë një tifo-grup të vetin. Nëse anëtarësohesh tek FSHF, të siguron biletat dhe ulje në biznese të ndryshme. Janë jo të sinqertë, jo serioze, e përdorin për biznes. Na është thënë lëreni, mos kundërshtoni. E gjitha bëhet për shkak të kundërshtimit tonë ndaj organizimit të Europianit për grupmoshat U-21 me Serbinë.
Favorizim për biletat ka pasur vetëm në vitin 2016. Nuk donim ne që kjo të ndodhte sepse nuk donim që të përdorej më pas kjo gjë. Sa i përket barazisë, të gjithë janë të pabarabartë. Ne nuk kemi marrë ndonjëherë më shumë bileta se çfarë duhet, numri i biletave që ne marrim nuk e arrin as 8% të stadiumit”- tha ai.