Pas zhvillimeve politike të fundit dhe humbjes së pozicionit dominuese nga BDI dhe partnerët e saj tradicionalë, po qarkullojnë gjithnjë e më shumë spekulime për një riformatim të thellë në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Shkruan POPULLI.mk
Njëra ndër opsionet që përflitet është mundësia e shkrirjes së BDI-së dhe ASH-së (nën drejtimin e Arben Taravarit) në një parti të re të përbashkët, me emrin “BKI – Besëlidhja Kombëtare për Integrim”.
Ky bashkim do të paraqitej si një proces reformimi dhe rilindjeje politike, duke u paraqitur si një alternativë e “re” për shqiptarët, por me fytyra të njohura. Ali Ahmeti, duke përdorur si pretekst nevojën për reformim të brendshëm, mund të pozicionohej si kryetar i subjektit të ri, ndërsa Arben Taravari si nënkryetar, në një tentativë për të prodhuar një imazh të unifikuar, modern dhe gjithëpërfshirës të “unitetit kombëtar shqiptar”.
Kjo parti e re do të absorbonte struktura dhe kuadro të përzgjedhur nga të dyja kampet – BDI-së dhe ASH-së (Taravari), duke ofruar pozita drejtuese për figura të reja, por besnike ndaj liderëve aktualë. Megjithatë, ky projekt nuk do të përfshinte domosdoshmërisht të gjithë, për shembull, Ziadin Sela, si një rival politik aktual i Taravarit dhe figurë më e pakontrollueshme në sy të BDI-së, mund të mbetej jashtë çdo formule të re koalicioni pas zgjedhjeve.
Për shumicën, kjo iniciativë do të ishte më shumë një riciklim politik sesa një ndryshim thelbësor. Megjithatë, ajo mund të paraqitet në publik si një përpjekje për të ndalur fragmentimin e skajshëm të faktorit politik shqiptar dhe për të ndërtuar një front të bashkuar nën petkun e “integrimit” dhe “besëlidhjes kombëtare”.
Por a ka vërtet nevojë për një shkrirje të tillë?
Kjo mbetet çështje për debat. Disa do ta shihnin si tentativë për shpëtim politik të elitave të vjetra, ndërsa të tjerët si mundësi për konsolidim të përfaqësimit shqiptar në shtetin multietnik të Maqedonisë së Veriut. Ajo që është e sigurt është se çdo projekt i tillë duhet të kalojë përmes besimit të qytetarëve, dhe besimi nuk ndërtohet me emra të rinj mbi të njëjtat struktura, por me vizion të qartë, integritet dhe përgjegjësi të re politike. / © POPULLI.mk