Kur të gjithë prisnin që VLEN të shfaqej si një front i bashkuar politik, realiteti mori një tjetër drejtim. Përçarja nisi të bëhet e dukshme brenda vetë koalicionit, duke zbehur pritjet për unitet dhe stabilitet. Edhe ASH-ja e vogël brenda VLEN-it u përfshi nga kriza e brendshme, ku Mimoza Musa dhe Azir Aliu u distancuan nga Arben Fetai, duke sinjalizuar mospajtime serioze politike.
Shkruan POPULLI.mk
Në këtë klimë tensioni, Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA deklaroi se AlternAtivA duhet t’i tejkalojë “teket e veta”, duke theksuar se ajo që flet më shumë është puna konkrete në terren, e jo kalkulimet e brendshme. Ndërkohë, zhvillimet në VLEN nuk u ndalën me kaq, pasi u shfaq edhe një tjetër përçarje, kësaj here brenda BESA-s, mes Fatmir Limanit dhe Bilall Kasamit.
Të gjitha këto lëkundje e vënë seriozisht në pikëpyetje të ardhmen e projektit politik VLEN. A do të arrijë ky koalicion të shndërrohet realisht në një parti politike të konsoliduar, apo do të shpërbëhet copë-copë nën peshën e përçarjeve të brendshme, mbetet për t’u parë.
© POPULLI.mk
