Sot, kandidati i pavarur për Kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, mbajti një konferencë për shtyp tek parku i vogël i qytetit, pranë objektit të Komunës së Gostivarit, ku prezantoi gjendjen alarmante të financave komunale.
Sipas të dhënave zyrtare, Komuna e Gostivarit hyn në zgjedhjet lokale me borxhin më të madh në Maqedoninë e Veriut:
• 693 milionë denarë (rreth 11.3 milionë euro) nga vetë Komuna;
• së bashku me detyrimet e Ndërmarrjeve Publike Komunale, borxhi total arrin në 25 milionë euro.
Në këtë konferencë u prezantuan gjithashtu disa kontrata të dyshimta të nënshkruara nga Komuna, mes tyre:
• kontrata me kompaninë SS Arkitekt për shërbime projektimi, në vlerë 190.000 €;
• dy kontrata me kompaninë AHR Konstrakshen për sanimin e gropave në rrugë, në vlerë totale 380.000 €;
• kontrata me kompaninë Stenton Gradba nga Manastiri për sallën e Këshillit Komunal, në vlerë 615.000 €.
Visar Ademi theksoi se ky keqmenaxhim financiar ka paralizuar zhvillimin e Gostivarit dhe ka dëmtuar drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Ai prezantoi një plan të detajuar për rimëkëmbjen financiare dhe transformimin e Komunës, i cili përfshin:
• shlyerje graduale të borxheve dhe vendosjen e disiplinës buxhetore;
• transparencë maksimale dhe llogaridhënie publike;
• riorganizim institucional për efikasitet dhe profesionalizëm;
• inovacion digjital dhe model modern të qeverisjes lokale.
“Misioni ynë është i qartë: ta pastrojmë Gostivarin nga korrupsioni, nga mbeturinat dhe nga qentë endacakë, dhe t’ia kthejmë qytetin qytetarëve të tij.” – deklaroi Visar Ademi.
