Deputeti i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit rreth zbatimit të Ligjit për Gjuhët, duke vlerësuar si “heronj të ditës” dy inspektorët e Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve.
Sipas Ademit, ata kanë konfirmuar qartë se ligji për gjuhët është lex specialis, ndërsa provimi i jurisprudencës nuk mund të përdoret si test për njohuri gjuhësore – një qëndrim që, siç tha, ka qenë i qartë që nga fillimi.
Ai akuzoi zyrtarët qeveritarë për “interpretime absurde” dhe përpjekje për të shtrembëruar ligjin, duke theksuar se kjo përbën fyerje të inteligjencës së qytetarëve.
Në reagimin e tij, Ademi kritikoi edhe koalicionin VLEN për, siç u shpreh, “gjumin gati dyvjeçar”, si dhe institucionin e Avokati i Popullit, duke e cilësuar qasjen e tij si të pamjaftueshme.
Sipas tij, situata e krijuar përbën një “turpërim të paprecedent” në trajtimin e një çështjeje kaq të rëndësishme si zbatimi i Ligjit për Gjuhët. (INA)
