13.5 C
Skopje
E shtunë, 13 Qershor, 2026
Home Lajme Ademi: Qytetarët e Gostivarit u mashtruan me projekte imagjinare, ka ardhur koha...

Ademi: Qytetarët e Gostivarit u mashtruan me projekte imagjinare, ka ardhur koha për ndryshim

0
1753

Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi, akuzoi udhëheqësit lokalë për keqpërdorim të fondeve publike dhe premtime të pambajtura, duke sjellë si shembull projektin e paralajmëruar të vitit 2018 për ndërtimin e një parku ujor, i cili kurrë nuk u realizua, informon POPULLI.mk

Sipas tij, për këtë projekt u shpenzuan mbi 64 mijë euro nga buxheti i qytetit, përmes tenderëve për studime fizibiliteti dhe plane ideore, por nuk u hodh asnjë hap për ndërtimin real.
“Ky nuk është vetëm një premtim i parealizuar, por abuzim me besimin dhe paratë e qytetarëve”, tha Ademi.

Ai theksoi se edhe gjatë mandatit aktual, 2021–2025, qyteti ka mbetur pa investime serioze, duke përmendur rastin e stadiumit të qytetit. “U premtua renovim i plotë, por stadiumi jo vetëm që nuk u rikonstruktua, por edhe Klubi Futbollistik Gostivari u detyrua të ndërpresë aktivitetet e tij, duke i lënë të rinjtë pa hapësira sportive”, u shpreh kandidati i pavarur.

Ademi tha se prioritetet e tij për mandatin 2025–2029 do të jenë:

  • Lufta kundër korrupsionit, që fondet e qytetarëve të shfrytëzohen për zhvillim real;

  • Pastrimi i qytetit nga mbeturinat;

  • Zgjidhja e problemit të qenve endacakë për sigurinë publike.

Ai premtoi gjithashtu:

  • Ndërtimin e Aqua Parkut deri në vitin 2026, në mënyrë transparente;

  • Ringjalljen e Klubit Futbollistik Gostivari, i cili do të kthehet në krenarinë e qytetit dhe do të garojë në ligat kombëtare;

  • Fuqizimin e rinisë, përmes fondeve të posaçme dhe funksionalizimit të Këshillit Rinor Komunal;

  • Përfshirjen zyrtare të tifozëve “Kastriotët” në strukturat drejtuese të klubit.

Në fund të fjalës së tij, Ademi publikoi edhe një informacion nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, sipas të cilit kryetari aktual i komunës nuk ka dorëzuar deklaratën e detyrueshme të gjendjes financiare.
“Parashtrroj pyetjen: pse kryetari në detyrë nuk e ka dorëzuar deklaratën, ashtu siç e kërkon ligji?”, tha ai.

“Ka ardhur koha për llogaridhënie, drejtësi dhe ndryshim të vërtetë”, përfundoi Visar Ademi. / © POPULLI.mk