Një fotografi, një “share” dhe një sinjal që nuk duhet anashkaluar!
Një fotografi e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka marrë vëmendje edhe përtej komunikimit zyrtar të institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Fotografia, e publikuar fillimisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup, paraqet ministrin Agon Ferati në takim me Nicole Varns, ushtruesen e detyrës së shefes së Misionit të SHBA-së në Maqedoninë e Veriut. Takimi u zhvillua më 23 korrik dhe në fokus ishin bashkëpunimi me SHBA-në, institucionet gjithëpërfshirëse, besimi ndërmjet bashkësive dhe perspektiva euroatlantike e vendit.
Por ajo që i jep një dimension tjetër kësaj fotografie është fakti se postimi i Ambasadës amerikane sot është shpërndarë nga Dr. Judithanne Scourfield McLauchlan, profesoreshë amerikane e Shkencave Politike dhe themeluese e Qendrës për Angazhim Qytetar.
McLauchlan nuk është vetëm një akademike që merret në mënyrë të përgjithshme me politikën ndërkombëtare. Ajo ka qenë e angazhuar për vite me radhë në çështjet e Ballkanit dhe diplomacinë amerikane, duke shërbyer si këshilltare e presidentit amerikan Bill Clinton si dhe për disa presidentë të tjerë amerikanë, në kuadër të angazhimit të saj profesional në politikën e jashtme dhe zhvillimet në Ballkan.
Pra, bëhet fjalë për një profil që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me nivelet më të larta të politikë bërjes amerikane dhe që prej vitesh ka ndjekur zhvillimet politike në rajon.
McLauchlan gjithashtu ka qenë e përfshirë në programe amerikane të shkëmbimit dhe zhvillimit të liderëve të rinj politikë nga Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, Agon Ferati figuron si alumn i American Council of Young Political Leaders (ACYPL) në databazën e Macedonia America Alumni Association.
Nga programet amerikane të lidershipit te tavolina ministrore
Këtu qëndron edhe simbolika e gjithë kësaj historie. Agon Ferati nuk është thjesht një ministër që sot zhvillon takime me përfaqësues diplomatik amerikan, ai është pjesë e një gjenerate politike që ka krijuar kontakte me institucionet dhe programet amerikane shumë përpara se të merrte detyrën ministrore dhe tani disa vite më vonë, ai shfaqet në një tjetër nivel, përballë përfaqësueses së SHBA-së në Shkup, duke diskutuar për institucionet, bashkëjetesën, Marrëveshjen e Ohrit dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Në fakt, mund të shihet si një prej shembujve të rrugëtimit të një politikani të ri drejt përgjegjësive të larta shtetërore. Amerikanët nuk shohin vetëm postin, shohin edhe profilin.
Nëse një fotografi e tillë arrin deri te rrjeti amerikan i akademikëve dhe profesionistëve që prej vitesh punojnë me liderët politikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, atëherë mesazhi është i qartë, Agon Ferati nuk po ndërton vetëm një karrierë ministrore, ai po ndërton një profil ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një prej kapitujve më të rëndësishëm të atij profili.




