Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mbrëmë zhvilloi një tubim elektoral në Bogovinë, ku u prit me entuziazëm dhe mbështetje të madhe nga qytetarët, informon POPULLI.mk
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ahmeti theksoi se Bogovina foli me zemër të madhe shqiptare, duke vlerësuar energjinë, besimin dhe krenarinë që, sipas tij, e karakterizon këtë komunë në çdo proces politik.
“Bogovina mbrëmë foli me zemër të madhe shqiptare! Një tubim që na dha energji, besim dhe krenari për të ecur përpara. Kandidati ynë, Besnik Emshiu, do të jetë zëri i qytetarëve, njeriu i punës dhe përkushtimit për çdo fshat e çdo familje të kësaj komune”, u shpreh Ahmeti.
Ai shprehu falënderim të veçantë për mikpritjen e ngrohtë dhe përkrahjen e qytetarëve të Bogovinës, duke e cilësuar këtë takim si dëshmi të qartë të unitetit dhe përkushtimit të strukturave të BDI-së në këtë zonë.
Kandidati për kryetar të Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu, pritet të përfaqësojë BDI-në në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, me fokus në zhvillimin lokal, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e shërbimeve për qytetarët. / © POPULLI.mk
