9.8 C
Skopje
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Ajeti: Jemi në grupin e ‘ferrit’ të trija ndeshjet janë finale

Numërimi mbrapsht ka nisur, emocionet sa vijnë e shtohen. 24 kombëtaret finaliste të “Euro 2024” janë gati për start. Mes tyre edhe Shqipëria jonë, e cila do të marrë pjesë për herë të dytë në Kampionatin Europian. Të shortuar në një grup “ferri”, përkrah Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho janë tashmë të fokusuar totalisht te sfida debutuese në Gjermani, më 15 qershor, në Dortmund, kundër kampionëve të Europës në fuqi. Në konferencë për shtyp, ditën e sotme ka dalë mbrojtësi Arlind Ajeti, njëri nga lojtarët e paktë kuqezinj, që kanë shijuar edhe “Euro 2016”. Ajeti deklaroi se pjesëmarrja në Europian si për herë të parë, ashtu edhe të dytë prodhon shumë emocione:

Si ndihesh që je grumbulluar për të dytën herë në Europian?

Shumë mirë, besoj se çdo lojtar që është grumbulluar ndjehet mirë është diçka speciale.

Çfarë do bësh ndryshe në këtë Europian dhe a do kesh më shumë minuta në dispozicion?

Nuk e di çfarë do bëj ndryshe, unë mundohem gjithmonë të jem pranë ekipit. A do luajë apo jo e vendos trajneri, unë do e mbështes Kombëtaren si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

Gjatë sezonit keni pasur dëmtime, a je 100% gati? 

Po, dëmtimet janë pjesë e futbollit. Unë besoj se jam përgatitur mirë dhe miqësoret kanë qenë të rëndësishme për mua dhe besoj se jam gati.

A shpresoni te rezultatet pozitive?

Shpresat janë që për çdo ndeshje të jemi mirë, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin dhe si në ndeshjen e parë dhe të fundit.

Si kanë rezultuar analizimet e kundërshtarëve, cilit i duhet kushtuar më shumë vëmendje?

Kemi analizuar me detaje kombëtaren italiane, në ditët e ardhshme, sot dhe nesër, do t’i shohim edhe më specifikisht sulmuesit.

Cili ju duket sulmuesi më i rrezikshëm i Italisë?

Çdo sulmues duhet parë me kujdes, Italia ka lojtarë me cilësi të lartë. Besoj se Scamacca për momentin është shumë i rrezikshëm, por duhet parë çdo lojtar.

Italia, kampionia në fuqi e Europës. Si po e përjetoni që do të ndesheni me të qysh në takimin e parë?

Europiani është gjithmonë i veçantë dhe besoj se çdo lojtar e ka ëndërr që të jetë njëherë pjesë e tij. Është diçka shumë e veçantë, duhet të japim maksimumin.

A besoni tek ecuria pozitive?

Ne i besojmë vetes, ekipit dhe çdo lojtari që është i grumbulluar. Do të japim maksimumin, pastaj le të shohim.

Jemi në të ashtuquajturin “grup ferri”…

Kemi tri finale, çdo ndeshje është speciale për ne. Do të jetë e vështirë, shpresojmë të bëjmë diçka të veçantë.

A është kjo kombëtare më e fortë se ajo e vitit 2016?

Nuk di të them nëse skuadra është më e fortë, por kemi shumë cilësi. Mjaft lojtarë tanët aktivizohen me klube të mëdha. Kualiteti duket në kombëtare, kemi lojtarë shumë në formë.

Këshilla që ju jepni lojtarëve, të cilët janë për herë të parë në Europian…

Është e veçantë edhe për ne veteranët, pavarësisht se e kemi për herë të dytë Europianin. Do të jetë sërish e veçantë, pasi nuk përshkruhet me fjalë. Emocionet janë të ndryshme, ndonëse është e dyta herë. Ne mundohemi të mbështetim çdo lojtar të ri.

A i keni bërë llogaritë këtë edicion, si ju dalin?

Llogaritë nuk i kemi bërë, ne do të shohim ndeshje pas ndeshje. Kemi të parën me Italinë dhe më pas do të shohim më tutje.

A keni presion për rezultate pozitive pas përkrahjes së shumë tifozëve që gjetët në Gjermani?

Presioni është normal në futboll, si me klubet, edhe në kombëtare. Natyrisht, në kombëtare ndihesh më krenar, sepse përfaqëson kombin tënd. Jemi të emocionuar si na pritën tifozët kur mbërritëm këtu. Besoj se janë një motiv më shumë shtesë për të dhënë gjithçka në këtë Europian.

Më cilin prej lojtarëve ke raport më të mirë?

Me të gjithë kemi raport shumë të mirë,  besoj se harmonia na ka ndihmuar edhe në kualifikuese. Me të gjithë kam marrëdhënie të mira, edhe pse duhet ta them se me Beratin kam më shumë kohë që luajmë në kombëtare.

Cila kombëtare kuqezi të jep më shumë siguri ajo e vitit 2016 apo kjo e sotmja? 

Më 2016 isha mes më të rinjve, por kisha mbështetjen e Canës. Tani jam me më shumë eksperiencë, por ka të rinj të talentuar. Nuk di t’i ndaj.

 

Burimi / NOA.al

Të ngjajshme

Të fundit