Në një seancë jo të zakonshme, ku të ulur në Kuvend nuk ishin politikanët por akademikët, u mbajt ceremonia për 50 vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave.
Si i vetmi pa titull shkencor para tyre, kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin e akademikëve si gur themeli për mbrojtjen e historisë së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.
Për të akademia e shkencave është mes tre kohëve, lindja shpërbërja dhe reformimi. Por ajo që sipas Ramës ka lënë shenjë për t’u ballafaquar me botën si shqiptarë është Akademia e para 50 viteve.
“Para 90-ës e pandikuar politikisht pavarësisht sistemit dictatorial kur liria ishte e kufizuar por që puna e mendjeve të ndritura të asaj periudhe e bën krahasimin e Akademisë pas 90 të duket jo mirë, teksa përpjekjet për një të nesërme më dinjitoze në Akademinë e shkencave vijojnë”, tha Rama.
Puna për transformimin e sistemit të dijes ka nisur edhe me hartimin e një ligji për shkencën, njoftoi ministrja e arsimit Evis Kushi.
Gjithashtu në fokus të qeverisë aktuale është rreziku që i kanoset gjuhës shqipe standarde që ka lidhur shqiptarët prej gjysmëshekulli.
Të pranishëm gjatë ceremonisë ishin edhe presidenti i federatës europiane të akademive të shkencave, Antonio Lopriene dhe kryetari i akademisë së shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, të cilët shquan rëndësinë e punës së shkencëtarëve.