Jemi sot këtu për të denoncuar një tjetër shembull të qartë të keqmenaxhimit dhe politikave destruktive të kryetarit në ikje, Bilall Kasami.
Më shumë se një vit e gjysmë më parë, në mënyrë klandestine, komuna e Tetovës hoqi kalldrëmet nga rrugët 185 dhe 186, për t’i vendosur ato në projektin e Rrugës së butiqeve.
Pasojë e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme është se banorët e këtyre dy rrugëve jetojnë sot një golgotë të vërtetë: rrugët janë të pakalueshme, makinat po dëmtohen, rastet emergjente mjekësore përballen me pengesa serioze dhe fëmijët kanë vështirësi për të shkuar në shkollë.
Ironia qëndron se edhe vetë projekti i Rrugës së Butiqeve, me emrin “Ringjallja e zejeve për zhvillim të përbashkët turistik” – nuk është ide apo meritë e kryetarit në ikje. Ky projekt u fitua si grant nga Bashkimi Evropian në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Ky është ilustrimi më i mirë i një pushteti që punon pa plan dhe shkel e shko, duke dëmtuar qytetarët për interesa politike. Por eksperimenteve të tilla po u vjen fundi!
Më 19 tetor, qytetarët e Tetovës do t’ju thonë mjaft mashtrimeve dhe do të zgjedhin opsionin që sjell zhvillim me plan, përkushtim dhe dinjitet për çdo lagje dhe çdo qytetar.




