3.8 C
Skopje
E premte, 16 Janar, 2026

Aleanca për Shqiptarët përçahet!

Kur kanë mbetur vetëm edhe tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, një nga partitë kryesore shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, ka nisur të përçahet. Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, ka dalë me qëndrim ndryshe nga sekretari i përgjithshëm Krenar Lloga.

Aleanca për Shqiptarët është aktualisht pjesë e koalicionin qeverisës në Maqedoni, bashkë me Bashkimin Demokratike për Integrim (BDI).

Taravari, që ishte pjesë e liderëve shqiptarë të Maqedonisë që takuan kryeministrin Albin Kurti ditë më parë, përmes një reagimi në Facebook u ka kërkuar organeve të partisë që të votojnë për rreshtim me opozitën shqiptare.

“Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend!”, ka shkruar Taravari të shtunën.

E pak më vonë ka reaguar sekretari gjeneral Lloga, i cili ka thënë se në fuqi vazhdon të mbetet vendimi i Kryesisë Qendrore që Aleanca për Shqiptarët të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Aleanca për Shqiptarët nuk ka shqyrtuar asnjë kërkesë në organet e saj partiake, Këshillin Drejtues, Kryesinë Qendrore dhe Kuvendin Qendror në lidhje me koalicionet parazgjedhore. Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qëndrore, i cili është votuar UNANIMISHT për të shkuar të vetëm në zgjedhje. I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbaj propozimin unanim të Kryesisë i cili është: Aleanca për Shqiptarët të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare 2024!”, ka shkruar Lloga.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se deri tash s’ka informata për oferta për koalicion. Ai ka thënë se kryetari nuk është organ vendimmarrës, por është Kryesia e Partisë dhe Kuvendi i Partisë që vendosin për partinë. Sipas tij, për momentin në fuqi është që ASH-ja të garojë e vetme në zgjedhje.

“Tendencat e kontrabandimit të Partisë për llogari të nuk e di kujt nëpërmjet një statusi në ‘facebook’ është shkelje e rëndë e Statutit të Partisë për të cilën kryetari i Partisë duhet të mbajë llogari përpara organeve të partisë. Përpjekjet për ta sqaruar qëndrimin e shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale kryetari i partisë si vendim personal është akt qyqar që dëmton rëndë linjat ideologjike të Aleancës për Shqiptarët”, ka shkruar Sela në Facebook.

Zgjedhjet në Maqedoni pritet të mbahen në muajin maj.

Sipas parashikimeve, nga partitë shqiptare pritet sërish të fitojë BDI-ja, e cila aktualisht po udhëheq me kryeministrin Talat Xhaferi. Politologu Xhenur Iseni pati thënë se nëse Aleanca për Shqiptarët i bashkohet opozitës shqiptare, ka gjasa që të mposhtet BDI-ja.

Ditë më parë, përfaqësues të disa partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Nga aty, përfaqësues opozitarë paralajmëruan koalicion e përfshirje të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në lista.

Në Maqedoninë e Veriut të dielën u betua për herë të parë një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi i BDI-së do ta udhëheqë Maqedoninë e Veriut deri në maj kur pritet të mbahen zgjedhjet.

Burimi / Koha.net

Të ngjajshme

Të fundit