Sot shënohet 26-vjetori i fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë, një ndërhyrje vendimtare që ndali agresionin ndaj Kosovës. Me këtë rast, lideri i BDI, Ali Ahmeti, ka theksuar rëndësinë historike të këtij veprimi, duke e cilësuar atë si një akt të drejtë dhe të domosdoshëm për paqen dhe sigurinë globale, informon POPULLI.mk
“NATO tregoi fuqinë e aleancës perëndimore për të mbrojtur popujt dhe parimet e lirisë përkundër forcave që kërcënonin stabilitetin dhe paqen në botë”, ka deklaruar Ahmeti. Ai ka nënvizuar se Kosova fitoi lirinë dhe dinjitetin falë sakrificës së madhe të popullit shqiptar dhe mbështetjes së NATO-s, e cila ndryshoi rrjedhën e historisë së rajonit.
Në këtë përvjetor, Ahmeti ka shprehur mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët e saj, duke theksuar se falë kësaj mbështetjeje vendimtare, sot Kosova është më e fuqishme dhe e lirë. / © POPULLI.mk