10.8 C
Skopje
E diel, 19 Tetor, 2025

Aliu: Mbi 1,500 studentë ferizajas përfitojnë bursa këtë vit

Kryetari i Komunës së Ferizajt dhe njëherësh kandidati për një mandat të ri, Agim Aliu, ka theksuar se investimet e komunës janë të fokusuara kryesisht tek të rinjtë dhe zhvillimi arsimor, duke njoftuar për një program të ri mbështetjeje financiare për studentët në drejtimet deficitare.

“Folëm shumë për transformimet në çdo fushë, dhe e shohim Ferizajn gjithnjë e më të avantazhuar me projektet dhe programin tonë. Mbi të gjitha, për të rejat dhe të rinjtë, sepse i gjithë investimi ynë është për ta,” deklaroi Aliu.

Ai rikujtoi se Ferizaj është komuna e vetme në Republikën e Kosovës që ka mbështetur të gjithë studentët aplikues me bursa gjatë katër viteve të fundit.

“Jemi komuna e vetme në Republikën e Kosovës që kemi mbështetur të gjithë studentët aplikues për këto katër vite me radhë me bursa. Vetëm këtë vit janë mbi 1,500 studentë ferizajas që përfitojnë nga këto bursa,” tha Aliu.

Duke folur për planet e ardhshme, ai paralajmëroi një skemë të re mbështetjeje për studentët që zgjedhin drejtime studimore me mungesë në tregun e punës.

“Ajo që ne do ta bëjmë ndryshe është se çdo student që do të studiojë në drejtimet deficitare universitare, do ta mbështesim me 2 mijë euro. Është analizë, është studim i yni,” shtoi ai.

Ky premtim vjen si pjesë e vizionit të tij për të fuqizuar të rinjtë dhe për t’i orientuar drejt profesioneve që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e Ferizajt dhe të ekonomisë lokale.

Të ngjajshme

Të fundit