Hulumtimi i fundit i opinionit publik i kryer nga Instituti për Hulumtime Politike – Shkup (IPIS), tregon se shumica e qytetarëve mendojnë se anëtarësimi në NATO është vendim i mirë, por nuk do ta përshpejtojë procesin tonë të integrimit evropian. Sipas sondazhit, 57.5% e të anketuarve besojnë se anëtarësimi në NATO është një vendim i mirë, ndërsa 27.9% janë të bindur se është një vendim i keq. Sipas strukturës etnike të të anketuarve, maqedonasit janë mjaft të ndarë, ndonëse shumica ose 48.9% mendojnë se anëtarësimi në NATO është vendim i mirë, por edhe 33.6% janë të bindur për të kundërtën. Në mesin e shqiptarëve etnikë nuk ka pothuajse asnjë dilemë – 85.1% besojnë se anëtarësimi në NATO është një vendim i mirë, ndërsa vetëm 11.1% mendojnë se është një vendim i keq.
Sipas strukturës së moshës, anketa tregon se qytetarët e rinj janë më të bindur se vendimi për anëtarësim në NATO është një vendim i mirë, megjithëse përqindjet nuk ndryshojnë ndjeshëm. Pak më shumë se gjysma e të anketuarve, ose 51.5%, besojnë se hyrja në NATO ka rritur sigurinë e vendit, ndërsa 36.1% mendojnë se nuk është kështu, thuhet në njoftim. Krahasimi me sondazhin që IPIS ka bërë për ta në vitin 2019, nuk tregon ndonjë ndryshim domethënës mes atyre që besojnë se anëtarësimi në NATO ka rritur sigurinë në vend, ndërsa ka një rritje të ndjeshme të atyre që janë të bindur për të kundërtën.
Dhe për këtë çështje, analiza e strukturës etnike të atyre që dhanë përgjigje, tregon se maqedonasit dhe shqiptarët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Krahasimi me anketën e IPIS-it të 4 viteve më parë tregon se optimizmi tek qytetarët se NATO do ta ndihmojë vendin për integrimet në BE është ulur ndjeshëm. Sa i përket përfitimeve të mundshme që ka vendi nga kryesimi i OSBE-së, sipas anketës, 36.1% shohin përfitime të caktuara, 35.3% jo. Nga ata që shohin përfitime, shumica e konsiderojnë si më shumë promovim dhe rritje të besueshmërisë së shtetit. Anketa e Institutit për Hulumtime Politike Shkupi është bërë përmes telefonit në periudhën prej 2 deri më 6 maj të këtij viti në mostër prej 1.112 të anketuarve. (koha.mk)
