21.9 C
Skopje
E diel, 9 Gusht, 2026

Arsovska paralajmëron fletë-serial: “Do t’i zbardhim të gjitha shkeljet dhe krimet që i kemi ndaluar – institucionet heshtin!”

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, ka paralajmëruar fillimin e një fletë-seriali investigativ që do të nisë nga e hëna, ku do të publikohen të gjitha rastet e paligjshmërisë dhe krimeve që, sipas saj, janë konstatuar dhe parandaluar nga qyteti, por për të cilat institucionet kompetente ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.

“Nga e hëna do të publikojmë një e nga një të gjitha shkeljet e ligjit dhe veprimet kriminale që i kemi ndalur me dëshmi dhe argumente të pakundërshtueshme. Për fat të keq, institucionet përkatëse vazhdojnë të heshtin,” deklaroi Arsovska.

Ajo bëri të ditur se në tre vitet e fundit, Qyteti i Shkupit ka parandaluar më shumë se 150 përpjekje për legalizim të ndërtimeve pa leje. Po ashtu, janë ndalur ndërtimet e bazave të asfaltit në zona të banuara dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër kompanive ndotëse si USJE dhe të tjerë, për të cilët, sipas saj, “të gjithë të tjerët heshtin, ndërsa ne përballemi me kërcënime të përditshme.”

“Kemi larguar tenderashë dhe kompani që kanë punuar për interesa partiake. Kemi ndërmarrë hapa konkretë për pastrimin e korrupsionit,” theksoi kryetarja e Shkupit.

Në fund të reagimit të saj, Arsovska tha se do të publikohen fakte konkrete për të treguar se “Qyteti ka vepruar menjëherë, ndërsa të tjerët vazhdojnë me të njëjtat sjellje si gjithmonë.”