11.8 C
Skopje
E diel, 27 Prill, 2025

ASH (Sela) denoncon diskriminimin në shëndetësi: Qeveria investon miliona në Spitalin “8 Shtatori” dhe lë pas Tetovën dhe Shtipin

Aleanca për Shqiptarët (Sela) ka denoncuar shpërndarjen e pabarabartë të investimeve në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se Qeveria po investon miliona euro për Spitalin “8 Shtatori” në Shkup, ndërkohë që spitalet klinike rajonale në Tetovë dhe Shtip vazhdojnë të përballen me kushte të papranueshme dhe mungesë investimesh, informon POPULLI.mk

Në një reagim të publikuar, ASH (Sela) ka shprehur shqetësimin se Qeveria po trajton shëndetësinë si një sistem me dy nivele, duke i dhënë përparësi Shkupit dhe duke lënë pas dore rajonet. Partia thekson se ky është një diskriminim flagrant ndaj pacientëve të Tetovës, Shtipit dhe të gjithë rajoneve jashtë kryeqytetit, të cilët kanë të njëjtën të drejtë për shërbime shëndetësore cilësore.

Pavarësisht premtimeve për investime në shëndetësi, spitalet e Tetovës dhe Shtipit vazhdojnë të kenë infrastrukturë të amortizuar dhe mungesë pajisjesh moderne, duke kufizuar kapacitetet për trajtimin e pacientëve. ASH (Sela) kërkon nga ministria e Shëndetësisë që të bëjë publike kriteret për ndarjen e fondeve dhe të rishikojë urgjentisht buxhetin për shëndetësinë, duke përfshirë investime në spitalet rajonale.

ASH (Sela) kërkon gjithashtu që të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Aleanca për Shqiptarët (Sela) ka theksuar se do të ndjekë këtë çështje me të gjitha mjetet politike dhe institucionale për të garantuar që pacientët e Tetovës, Shtipit dhe gjithë rajoneve të kenë qasje në shëndetësi cilësore, njësoj si qytetarët e Shkupit. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit