14.8 C
Skopje
E premte, 27 Shkurt, 2026

Australia nis ndalim historik të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Nga mesnata e së premtes, Australia ka bërë historinë duke hyrë në fuqi me ligjin e parë në botë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Llogaritë në platforma si Instagram, Facebook, Threads, X, Snapchat, Kick, Twitch, TikTok, Reddit dhe YouTube do të jenë të ndaluara për këtë grupmoshë. Ndërkohë, fëmijët dhe prindërit nuk do të ndëshkohen për shkelje; përgjegjësia bie mbi kompanitë, të cilat rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë për çdo shkelje.

Qeveria australiane e sheh këtë masë si një mënyrë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme online dhe për t’u dhënë kohë të rriten para se të përballen me botën digjitale. Studimet tregojnë se 96% e fëmijëve australianë nga 10 deri 15 vjeç përdorin rrjetet sociale, ndërsa 7 nga 10 janë ekspozuar ndaj materialeve të dhunshme, misogjene, apo që promovojnë çrregullime të të ushqyerit dhe vetëvrasjen.

Kryeministri Anthony Albanese dhe ministrja e Komunikimeve, Anika Wells, theksuan se ligji është një “vonese e sigurt” për të rinjtë, duke u dhënë mundësi të rriten dhe të përgatiten për përdorimin e rrjeteve sociale në të ardhmen. Për të mbështetur fëmijët, autoritetet sugjerojnë aktivitete alternative si sport, mësim instrumentesh muzikore, lexim dhe kalim i kohës me familjen dhe miqtë, raporton BBC.

Reagimet e komunitetit australian janë të përziera. Disa prindër e mbështesin ligjin si një masë mbrojtëse, ndërsa disa adoleshentë shqetësohen për humbjen e mundësive për të komunikuar, krijuar lidhje sociale dhe shfaqur kreativitetin e tyre online. Adoleshentët me aftësi të kufizuara paralajmërojnë se kufizimi mund të zvogëlojë komunitetet mbështetëse që kanë krijuar online.

Ndërkohë, dy 15-vjeçarë australianë tashmë e sfiduan ligjin në Gjykatën më të lartë, duke argumentuar se ndalimi cenon të drejtën e tyre për komunikim të lirë. Aktivistët paralajmërojnë se masa mund të dëmtojë grupet më të prekshme, përfshirë të rinjtë LGBTQ+, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe komunitetet rurale apo të First Nations.

Ligji parashikon përdorimin e teknologjive të verifikimit të moshës nga kompanitë, duke përfshirë ID-të qeveritare, njohjen e fytyrës dhe të zërit, për të parandaluar qasjen e fëmijëve. Qeveria e sheh këtë si një plan trajtimi, jo si një ndalim përjetësor, duke e konsideruar si një hap të guximshëm që po ndiqet me kujdes nga vendet e tjera të botës.

Australia bëhet kështu vendi i parë në botë që vendos një ndalim të tillë, duke nisur një debat global mbi sigurinë, lirinë dhe edukimin e të rinjve në botën digjitale.

Ligjet e mediave sociale për fëmijët nëpër botë

Këtu kemi një përmbledhje të shpejtë të legjislacioneve në vende të tjera.

Franca: Në vitin 2023 u miratua një ligj që kërkon pëlqimin e prindërve për fëmijët nën 15 vjeç që të krijojnë llogari në rrjetet sociale – por pa një datë të caktuar fillimi dhe ende nuk është zbatuar.

Kina: Vendi ka disa nga kontrollet më të rrepta të internetit në botë, me shumë faqe që janë të ndaluara, por nuk ka një ndalim për rrjetet sociale specifik për moshën. Rregullat e reja kufizojnë kohën që të rinjtë mund të kalojnë online dhe në platformat sociale.

Danimarka: Qeveria në nëntor njoftoi planet për t’i ndërprerë qasjen në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, por prindërit do të mund t’u lejojnë fëmijëve 13 dhe 14 vjeç të hyjnë. Nuk dihet ende kur dhe si do të zbatohen masat.

Gjermania: Fëmijët e moshës 13 deri në 16 vjeç mund të përdorin rrjetet sociale vetëm me pëlqimin e prindërve, por ka pikëpyetje se sa efektivisht zbatohen këto rregulla.

Spanja: Qeveria këtë vit miratoi një draft-ligj për të rritur moshën minimale të përdorimit të rrjeteve sociale në 16 vjeç, por ende nuk është bërë ligj.

Malajzia: Qeveria po punon për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën 16 vjeç – planet janë në fazat e hershme, por shpresohet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.

Të ngjajshme

Të fundit