32.8 C
Skopje
E diel, 23 Qershor, 2024

Bajrami ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti / kryeministri duhet të jep dorëheqje

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për keqqeverisje në ekonomi dhe sektorë të tjerë, për çka thotë se kryeministri duhet të jap dorëheqje pas dështimeve të njëpasnjëshme.

Kështu deklaron deputetja Bajrami derisa potencon se gjatë qeverisjes së qeverisë Kurti, ekonomia ka degraduar tej mase. Ajo fajëson partinë në pushtet për mungesën e investimeve të huaja direkte.

Bajrami si dështime të tjera përmend rritjen e inflacionit, ikjen masive të qytetarëve nga vendi, sanksionet e BE-së e të tjera.

Bajrami flet edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, për çka shprehet e bindur se do dalin të parët në këtë proces zgjedhor.

“Lista e dështimeve është shumë e gjatë, qeveria Kurti dhe zotëri Kurti me qeverisjen e tij të shumicës nuk ka arritur të përmbushë as edhe një premtim në bazë të të cilave ai ka ardhur në qeverisje. Ekonomia ka degraduar tej mase. Ne kemi pasur një inflacion galopant përderisa nuk kemi pasur indeksim të pagave dhe të pensioneve, nuk po flas për rritje por të paktën indeksim konform normes së inflacionit. Investimet kapitale kanë qenë më të ulëta ndonjëherë në 10 vjeçarin e fundit. Gjithashtu, nuk kemi pasur investime të huaja të direkte. Të gjitha investimet janë në patundshmëri dhe asgjë tjetër. Nuk kemi pasur një vend punishte e cila hapur gjatë kësaj kohe. Ikja masive të qytetarëve…Nuk janë ndërtuar çerdhet, nuk janë ndërtuar asnjë nga rrugët magjistrale të cilat i kanë gjetur në gjysmë, nuk janë ndërtuar shtëpitë e pleqve dhe nuk kemi parë as edhe një projekt infrastrukturor që do të ishte si shenjë, si trashëgimi e kësaj qeverie”, thotë Bajrami.

Bajrami konsideron se humbja më e madhe për ekonominë e vendit, është ikja e klasës punëtore. Ajo ka përmendur edhe masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

“Ne kemi mbi një vit që jemi mbi masa ndëshkuese të Bashkësisë Evropiane. Janë mbi 300 milionë euro projekte të financuar me fonde të IPA-së me fonde WB-EDIF, me fonde të donatorëve bilateral të cilat nuk janë duke u ekzekutuar. Këto janë kryesisht projekte të cilat janë në ambient, kanë të bëjnë me ujërat e pijshëm, me riciklimin e ujërave të zeza dhe gjithashtu me reciklim të mbeturinave… Humbja më e madhe për ekonominë e vendit është ikja e qytetarëve, ikja e klasës punëtore”, potencon Bajrami.

Derisa rendit disa nga dështimet sipas saj të qeverisë aktuale, Bajrami kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti. Ajo thotë se janë të gatshëm për zgjedhje, derisa shprehet e bindur se do të dalin të parët.

“Ne absolutisht që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, po besoj që asnjë parti politike nuk është më e gatshme se Lidhja Demokratike e Kosovës. Për shkak se ka 6 muaj tashmë që ne kemi mbajtur konventën dhe kemi lansuar programin “Rruga e Re”, për secilin sektor e dimë saktë se çfarë do të bëjmë javën e parë, muajin e parë, vitin e parë dhe vitin e fundit…Mirëpo, ajo se çfarë ne po kërkojmë është që zotri Kurti të dorëzohet dhe të tregojë se ka dështuar në secilën fushë dhe ne kështu të shkojmë në zgjedhje. Nuk dëshirojmë që ne në fakt t’i bëjmë favorin që ai kinse të shkojë në zgjedhje për faktin se po e kërkon opozita. Ne po kërkojmë zgjedhje, mirëpo zgjedhjet janë si rezultat i dorëzimit faktik të cilin tashmë zotri Kurti e ka bërë. Ne jemi shumë të bindur se do të korrim fitore dhe do të jemi partia e parë”, thotë Bajrami.

Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka dërguar ftesë për takim krerëve të partive opozitare, porse përveç Partisë Demokratike të Kosovës, asnjë nga partitë e tjera nuk iu përgjigj kësaj ftese. Nga LDK-ja kanë thënë se një ftesë e tillë nuk ka qenë e nevojshme.

Të ngjajshme

Të fundit