16.8 C
Skopje
E enjte, 28 Maj, 2026

“Bashkëpunim mes NATO-s dhe BE-së”

- Advertisement -

NATO dhe Bashkimi Evropian duhet të shtojnë bashkëpunimin dhe kapacitetet për t’u përballur me sfidat nga ndryshimet gjeopolitike. Kjo ishte ndër porositë kryesore të Konferencës së organizuar për këtë çështje kurse u theksua edhe nevoja për përforcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ministri Timço Mucunski foli për sfidat e rajonit.

“Në Ballkanin Perëndimor jemi dëshmitarë të aktiviteteve të shtuara qëllimkëqija të cilat kanë për synim t’i shkatërrojnë proceset demokratike përmes presioneve ekonomike, ndikimeve politike dhe fushatave dezinformuese. Narrativët antiperëndimore në një pjesë të rajonit kanë për qëllim ta dobësojnë besimin në institucione dhe ta vendosin në pikëpyetje kursin evropian dhe euroatlantik. Këto trende kërkojnë reagim intensive, afatgjatë dhe të koordinuar, edhe nga NATO, edhe nga BE-ja. Kërkesa jonë ndaj NATO-s dhe BE-së është të sigurojë strategji afatgjate për rajonin”, tha Timço Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme.

Ambasadorja e SHBA-së Angela Ageler, tha se SHBA-të mbeten të përkushtuar për përforcimin e NATO-s por kërkoi angazhim të ngjashëm edhe nga vendet tjera.

“SHBA-të qëndrojnë fuqishëm përkrah NATO-s dhe me partnerët tanë nga NATO dhe jemi të përkushtuar të sigurojmë që ky të mbetet partneriteti më i fuqishëm, më i qëndrueshëm dhe më mirë i përgatitur për t’iu përgjigjur kërkesave të botës së sotme të trazuar. Gjithsesi, NATO mund të bëhet më e fuqishme vetëm nëse secili vend anëtarë përforcon aftësitë e tij. SHBA-të investojnë në Mbrojtje jo sepse kështu kanë zgjedhur, por sepse kjo është e nevojshme për sigurinë e njerëzve tanë, sovranitetit dhe mënyrës së jetesës. Ftojmë secilin vend partner të bëjë të njëjtën” , u shpreh Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së.

Të njëjtin mesazh për nevojën e bashkëpunimit e dha edhe ambasadorja e Gjermanisë Petra Dreksler.

“Të investojmë në qëndrueshmërinë e demokracisë tonë, të investojmë në qëndrueshmëri energjetike, në qëndrueshmëri që lidhen me kërcënimet kibernetike, të investojmë në bashkëpunime më të thella rajonale, në lidhje në Ballkanin Perëndimor. Këto janë synime pas të cilave ne qëndrojmë si partnerë në NATO dhe si partnerë në BE”, theksoi Petra Dreksler, Ambasadore e Gjermanisë.

Konferenca u organizua nga Qendra Për Studime Evropiane “Uillfried Martens” nga Brukseli dhe Konrad Andenauer Stiftung. Ekspertët i bënë thirrje BE-së që gjatë planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, të mos e harrojnë zgjerimin dhe integrimin e vendete të Ballkanit Perëndimor.

“Paratë e zgjerimit nuk mund të sakrifikohen për prioritete të tjera, edhe pse ka shumë prioritete të tjera për momentin, sepse zgjerimi është thelbi i BE-së”, theksoi Eoin Drea, Qendra për Studime Evropiane “Uillfried Martens”, Bruksel.

Të pranishmit në debat theksuan edhe nevojën e adresimit të kërcënimeve, përveç nga Rusia, edhe nga Kina, Lindja e Afërt dhe Afrika Veriore. / Alsat.mk

- Advertisement -

Të ngjajshme

Të fundit