Autostrada Trebenishtë-Qafë Thanë nuk do të anulohet, por do të bëhet projekt i ri për atë segment, thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli tha për TV21 se me të marrë vendimin në letër nga UNESCO do të angazhojnë procedurat e riprojektimit për të evituar zonat arkeologjike të trashëgimisë kulturore, por pa e cenuar as edhe mjedisin jetësor sipas vërejtjeve të tyre. Zekolli i hedhë poshtë zërat që ky segment do të përfundoj në Ohër, duke theksuar se në ri projektim lidhjet do të bëhen edhe për qytetin e Strugës dhe të Aeroportit të Ohrit në segmentin e Korridorit 8.
“Neve kemi ngatërresa në kuptimin të asaj sepse kur është bërë projektimi nga qeveria e kaluar nuk është marr mendim nga UNESCO përskaj ndjeshmërisë që ka kjo zonë, e cila është e pasur me relikte arkeologjike… Megjithatë nuk kemi një vendim konkret, presim vendimin e UNESCO, por ajo që është me rëndësi të theksohet se lidhshmëria me fqinjin tonë shqiptar do të realizohet. Po shohim opsione të tjera ndërkohë për riprojektim, modalitete të ndryshme për ta bërë këtë lidhje. Por, megjithatë ka ekspertë e kësaj fushe, të cilët po shohin mundësi se si kjo lidhje të bëhet por një gjë është e sigurt që lidhja e Strugës me Shqipërinë përmes Qafë Thanës do të realizohet pa dyshim”, tha Kaltrina Zekolli, zëvendësministre e Transportit.
Por, nga opozitarja e BDI-së sërish reagojnë se arsyetimi i UNESCO-s është “perde syve” për opinionin.
Faton Pollozhani tha se me VLEN-in në pushtet, jo vetëm që nuk ka zhvillim, por po zhbëhen edhe projektet dhe arritjet që janë ndërtuar me vite. Sipas tij, anulimi i segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë nga Korridori 8 është dëshmi e qartë.
“Kjo nuk është vetëm anulim i një rruge. Kjo është anulim i një perspektive zhvillimi, i një korridori strategjik dhe i një interesi të madh shtetëror. Arsyetimi se kjo po bëhet për shkak të UNESCO-s është një justifikim i dobët për ata që duan të gjejnë arsye për të mos bërë punë. Kur ka vullnet politik, gjenden zgjidhje. Kur nuk ka vullnet, gjenden arsyetime. Problemi nuk është teknik. Problemi është politik dhe i qëllimshëm. Dhe për këtë përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi VLEN-in. VLEN është pjesë e qeverisë. VLEN mban përgjegjësi. Por për projekte që lidhen drejtpërdrejt me Shqipërinë dhe Kosovën, nuk kemi parë asnjë reagim, asnjë kundërshtim, asnjë qëndrim”, pohoi Faton Pollozhani, BDI.
Ndryshe, një muaj më parë përfaqësues të Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Paris gjatë takimit me 4 ministrat tanë dhe dy kryetarë komunash iu dhanë 8 vërejtje për zonat e mbrojtura të Liqenit të Ohrit, prej të cilave vetëm njëra ishte për autostradën e Korridorit 8 dhe të tjerat për ndërtime pa leje të objekteve buzë liqenit. Ndërkohë, nga pjesa e Shqipërisë punimet po vazhdojnë për lidhjen e Korridorit 8 me autostradë drejtë vendkalimit kufitar Qafë Thanë, megjithëse fqinjit tonë UNESCO i ka bërë njësoj rekomandime për punimet në zonën e mbrojtur të Liqenit Ohrit. Pritet që edhe godinat e kufirit të Qafë Thanës të zgjerohen nga të dyja anët.
