Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Marija Andonovska, për shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke pretenduar se ajo ka urdhëruar që komunikimi zyrtar në këtë institucion të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Sipas BDI-së, drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i informojnë punonjësit se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen më, ndërsa si të vlefshme do të konsiderohen vetëm ato në maqedonisht.
“Kush i ka dhënë të drejtë drejtoreshës të vendosë mbi ligjin?”, pyet BDI-ja, duke e cilësuar këtë veprim si cenim të të drejtave gjuhësore.
Partia opozitare ka kritikuar edhe koalicionin VLEN për heshtje dhe mungesë reagimi ndaj, siç pretendon, kufizimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
BDI kërkon nga Qeveria të hetojë rastin, ndërsa nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të kryejë menjëherë mbikëqyrje dhe të ndërmarrë masa nëse konstatohen shkelje ligjore./MIA




