Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i akuzuar për manipulime dhe shtrembërime të qëllimshme të fakteve, informon POPULLI.mk
“Luten spin doctor-at e BDI-së, aktualisht në arratisje nga drejtësia, të ndalojnë me manipulimin dhe shtrembërimin e fakteve. Në vend që të keqinterpretojnë sondazhet, ata u kanë për borxh shqiptarëve t’u tregojnë se sa para kushtoi liria e Sasho Mijallkovit dhe Nikolla Gruevskit,” tha Mexhiti në një deklaratë të publikuar.
Ai kritikoi ashpër drejtuesit e BDI-së, duke i akuzuar për përkushtimin e tyre ndaj “bizneseve të kazinove” dhe për trajtimin e fatit të shqiptarëve si “përqindje në tavolinën e kumarit.”
“Sot u kapët në rrenë dhe në vend që të ulni kokën, vazhdoni të bëni zhurmë. Por çka është turpi për rezilin?!” shtoi ai.
Mexhiti gjithashtu theksoi se largimi i aktivistëve dhe votuesve nga BDI-ja po vazhdon me intensitet, duke theksuar aderimin e tyre në Lëvizjen Demokratike.
“Largimi i aktivistëve dhe votuesve të ndershëm nga partia e listës së zezë BDI dhe aderimi në Lëvizjen Demokratike po vazhdon me tempo të fuqishme dhe të fortë,” deklaroi Mexhiti, duke përfunduar me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Veç rrini rahat.”
Kjo deklaratë vjen mes tensioneve të shtuara mes partive politike dhe akuzave të ndërsjella në skenën politike në Maqedoninë e Veriut pas sondazhit që BDI u thirr se kanë mbështetje të madhe nga shqiptarët. / © POPULLI.mk