30.4 C
Skopje
E premte, 10 Korrik, 2026

BDI: Kasami nuk ka guxim të mbrojë emrat e rrugëve në Tetovë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar atë për mungesë të përgjegjësisë politike dhe institucionale, si dhe për tentativë që, sipas tyre, të mbulojë dështimet në drejtimin e komunës përmes idesë për zgjedhje të reja të Këshillit Komunal.
Nga BDI vlerësojnë se Kasami, në vend që të zgjidhë problemet e qytetarëve të Tetovës, po krijon, siç thonë ata, “krizë artificiale” dhe po kërkon alibi për mosveprim.

“Bilall Kasami edhe një herë dëshmoi para qytetarëve pafuqinë e tij politike dhe institucionale. Në pamundësi për të marrë përgjegjësi dhe për të zgjidhur problemet e Tetovës, tani tenton ta kamuflojë dështimin e tij me teorira për zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës. Bilall Kasami, i njohur që në rini për vargjet e lavdisë kushtuar Josip Broz Titos, më pas pjesë e koalicionit parazgjedhor “Mozheme”, e sot pjesë e një Qeverie pa legjitimitetin e shqiptarëve, pafuqinë e tij politike e ka demonstruar disa herë para opinionit. E pamë kur Kryeministri ia ndali fjalën publikisht, e pamë në raport me ministra të Qeverisë dhe po e shohim sërish sot, kur nuk ka guxim politik të mbrojë emrat e rrugëve dhe shesheve të Tetovës. Në vend të veprimit, Bilall Kasami prodhon teori juridike të paqena. Në vend të përgjegjësisë, kërkon alibi. Në vend të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit, tenton të krijojë krizë artificiale dhe ta përdorë atë si pretekst për zgjedhje të reja”, thonë nga BDI.

Sipas partisë, çështja e emrave të rrugëve dhe shesheve nuk mund të shërbejë si arsye për shpërbërjen e Këshillit Komunal, pasi lista e propozuar nga BDI nuk është e njëjta që ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Lista e propozuar përmban gjithsej 67 emra dhe, rrjedhimisht, kjo çështje nuk mund të përdoret si shkak apo pretekst për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia opozitare i bën thirrje Kasamit të bashkëpunojë me këshilltarët dhe subjektet politike për të gjetur një zgjidhje në interes të qytetarëve, ndërsa e akuzon se nuk po e mbështet nismën për rikthimin e emrave të rrugëve dhe shesheve të abroguara nga Gjykata Kushtetuese.

Në reagim, BDI ngre edhe pyetjen nëse Kasami ka marrë “leje” nga partneri i tij qeveritar, VMRO-DPMNE, për ta votuar këtë nismë.

“Nëse ka vullnet, le ta votojë. Nëse nuk guxon, le ta thotë publikisht se pret leje nga partnerët e tij qeveritarë”, thuhet më tej.

BDI thekson se, nëse Kasami dëshiron zgjedhje, atëherë duhet të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës së Tetovës dhe të kërkojë mandat të ri nga qytetarët, e jo të kërkojë shpërbërjen e Këshillit Komunal.

“Nëse Bilall Kasami do zgjedhje, le të mos sakrifikojë Këshillin për të shpëtuar veten. Le të japë dorëheqje dhe të përballet vetë me qytetarët e Tetovës”, përfundon reagimi i BDI-së. përcjell Zhurnal.mk .