25.4 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

BDI reagon ndaj deklaratës së kryeministrit: Situata e shqiptarëve po kthehet para vitit 2001

BDI ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të kryeministrit, i cili u shpreh se “BDI duhet të sjellë ide kreative” dhe se “ankesat për degradimin e situatës janë vetëm mbrojtje e korrupsionit”, informon POPULLI.mk

Në një reagim publik, BDI e cilëson këtë deklaratë si tentativë për të heshtur zërin e shqiptarëve dhe për të relativizuar realitetin që, sipas tyre, është i prekshëm dhe shqetësues.

“Situata e shqiptarëve sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut po rikthehet në atmosferën para vitit 2001,” thuhet në reagimin e BDI-së. “Edhe atëherë, askush nuk donte të dëgjonte ankesat autentike të shqiptarëve. Në vend të kësaj, ato cilësoheshin si aspirata separatiste apo irredentiste, ndërsa në realitet shqiptarët ishin të shtypur, të përjashtuar dhe të padukshëm në institucionet shtetërore.”

Sipas BDI, historia po përsëritet, vetëm se me një narrativë të ndryshuar.

“Në vend të ‘separatistëve’ të dikurshëm, sot shqiptarët etiketohen si ‘të korruptuar’. E njëjta përpjekje për të deformuar të vërtetën, vetëm se me një maskë të re.”

BDI thekson se në vend të etiketimeve dhe fjalëve të mëdha, vendit i duhen masa konkrete dhe ide të guximshme. Për këtë, ata i kanë propozuar kryeministrit disa iniciativa që i konsiderojnë kreative dhe të nevojshme:

  • Të mos preket Marrëveshja e Ohrit, si themel i bashkëjetesës dhe garanci për barazi;

  • Të mos cenohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe;

  • Të kryhet një vetting i plotë për të gjithë funksionarët nga viti 1991 deri më sot, për të hetuar pasuritë dhe burimet e tyre;

  • Të rihapet procesi i privatizimit, për të zbardhur se si u shpërdorua pasuria publike dhe kush përfitoi prej saj.

Në fund, BDI thekson se shqiptarët nuk do të ndalen së kërkuari të drejtat e tyre dhe se “nuk janë fjalët e mëdha ato që i duhen vendit, por përballja me të vërtetat e vjetra dhe zgjidhja e padrejtësive të reja”.