Teksa zëdhënësi i KE-së për çështje të zgjerimit, Guillame Mercier, ka theksuar se në këtë moment ende nuk ka vendim parafinancimi për Kosovën dhe për Serbinë nga paketa e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe se BE-ja është duke e shqyrtuar këtë çështje, KOHA ka mësuar se për Serbinë tashmë pothuajse ka përfunduar procedura dhe se shumë shpejt ky shtet do të marrë pagesën e parë në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh
Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE) për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier, ka thënë të enjten se në këtë moment ende nuk ka vendim parafinancimi për Kosovën dhe për Serbinë nga paketa e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ka shtuar se Bashkimi Evropian (BE) është duke e shqyrtuar këtë çështje.
Por përkundër kësaj, edhe pse zëdhënësi Mercier nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, KOHA ka mësuar se për Serbinë tashmë pothuajse ka përfunduar procedura dhe se shumë shpejt ky shtet do të marrë pagesën e parë prej parafinacimit, në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh. E për sa i përket Kosovës, problemi qëndron ende te fakti se nuk e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen për kredi me BE-në. Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pagesat nga “Plani i Rritjes” i BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk mund të kryhen.
“Mund ta konfirmojë se në këtë fazë nuk ka parafinancim për Serbinë dhe për Kosovën. Më herët këtë javë dhe javën e kaluar u bë parafinancimi për Maqedoninë e Veriut e Shqipërisë. Por, procesi po vazhdon për Kosovën e Serbinë”, ka thënë Mercier në konferencë për media në Bruksel.
Pasi në Kosovë ende nuk është konstituuar Kuvendi, është vështirë të pritet që vendi së shpejti do ta përmbushë këtë kusht formal. Për sa u përket kushteve të tjera, Kosova dhe Serbia e kanë edhe një parakusht specifik – angazhimin konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Në procedurat për Planin e Rritjes ka parakusht, kur bëhet fjalë për Serbinë e Kosovën, e që është të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Në këtë fazë, nuk mund të konfirmojë nëse parakushti është plotësuar apo jo. Do të shpjegohet kur të merret një vendim sa i përket parafinancimit”, ka theksuar Mercier.
Në rast se pagesa për Serbinë do të kryhet së shpejti, atëherë kjo do të thotë se Bashkimi Evropian ka vlerësuar që sjellja e Beogradit zyrtar ka qenë mjaftueshëm konstruktive në dialog, gjë kjo që mundëson edhe kryerjen e pagesës.
Në BE nuk mund ta shpallin zyrtarisht vendimin për këtë ende, pasi ai nuk është formalizuar. Por burime të shumta të KOHËS në Bashkimin Evropian kanë konfirmuar se Kosova dhe Serbia nuk ndodhen në të njëjtën fazë, ngase pagesat për Serbinë pritet që të kryhen së shpejti, ndërsa për Kosovën kjo mund të bëhet vetëm pasi Kuvendi ta ratifikojë marrëveshjen për kredi, e cila, sipas ligjeve të Kosovës, e ka karakterin e marrëveshjes ndërkombëtare, për çka edhe duhet të ratifikohet në Parlament.
Sipas burimeve në BE, sikur Kosova do ta përmbushte këtë kusht, atëherë pagesat do të kryheshin së shpejti edhe për të.
BE-ja tashmë i ka kryer pagesat e para nga “Plani i Rritjes” për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.
Fjala është për “parafinancimin” që e kap shumën prej 7 për qind të mjeteve të përgjithshme, të cilat nga ky plan i janë dedikuar Shqipërisë. Shqipërisë i janë paguar tashmë 64.5 milionë euro, nga të cilat 34 milionë kredi për buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër për infrastrukturë.
Bashkimi Evropian ka vendosur që të gjitha vendet, për të cilat janë aprovuar agjendat e reformave dhe të rritjes, të paguhet si “pagesë parafinancuese” shuma prej 7 për qind e mjeteve të dedikuara për atë vend përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave.
Paketa në total është në një vlerë prej 6 miliardë eurosh për të gjitha vendet e rajonit për periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori, Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit nga kjo paketë.
Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliard euro, Bosnjë-Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro.
Orav: S’mund ta imagjinoj se si Kosova e Serbia mund të anëtarësohen në BE pa normalizim
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, ka theksuar se BE-ja është synim i Kosovës dhe Serbisë porse ka shtuar që për ta arritur këtë një prej parakushteve është dialogu. Orav ka thënë se procesi i lehtësuar nga BE-ja është i një rëndësie vendimtare për të ardhmen e të dy vendeve. “Nuk mund ta imagjinoj se si Serbia apo Kosova mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian pa normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Orav për transmetuesin publik.
Ai ka shtuar se ky është hap kyç drejt stabilitetit dhe integrimit në strukturat evropiane.
“Ndihma financiare ose paratë tona janë vetëm një mjet për të ndihmuar në zbatimin e reformave dhe për të ndihmuar të dyja palët të përgatiten për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar ai.
E teksa ka folur për formimin e qeverisë së re, Orav ka theksuar se ky proces shpeshherë zgjat shumë pas zgjedhjeve. “Kam dëgjuar ankesa se ky proces në Kosovë po zgjat shumë, por më e rëndësishmja është që vullneti i të gjithë votuesve të merret parasysh në mënyrë të duhur”, ka thënë Orav, teksa ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që rezultatet e zgjedhjeve të reflektojnë dëshirat e qytetarëve, pavarësisht nga kohëzgjatja e negociatave.