Kritikat ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e pesë komunave paralele në veri kanë vazhduar edhe një ditë pas aksionit të Policisë. Pas Shteteve të Bashkuara, mbylljen e tyre e ka cilësuar të pakoordinuar e të rrezikshëm edhe Bashkimi Evropian. Në Brukselin zyrtar kanë thënë se Qeveria po i shpërfill thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për depërshkallëzim
Pas shteteve të QUINT-it, edhe Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer me aksionin e mbrëmshëm të Policisë së Kosovës për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri.
Në Bashkimin Evropian të shtunën kanë thënë ky operacion i realizuar pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë mund të çojë në përshkallëzim të situatës.
“EULEX-i është vendosur menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë. BE-ja dëshiron të përsërisë se Kosova është angazhuar për depërshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht, thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës. Zyrat e mbështetura nga Serbia parashikohet të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e BE-së.
Veprimet e Qeverisë të një dite më parë, i ka quajtur provokuese edhe ndihmëssekretari amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.
O’Brien i ka kërkuar Qeverisë koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të mos rrezikuar prishjen e marrëdhënieve me shtete aleate.
“Siç e bën të qartë deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës… I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka deklaruar O’Brien.
Veprimet e Policisë dhe të Qeverisë janë kritikuar edhe nga Gjermania, Franca e Britania. Ndërsa, nga Praga ku po zhvillohet forumi i sigurisë, ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Në takimin që ka pasur me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ai ka kërkuar jo vetëm të reagohet, por edhe të ndërmerren veprime ndëshkuese ndaj Kosovës.
Të premten pasdite, Qeveria e Kosovës njoftoi se në aksionin e së shtunës janë mbyllur objektet e strukturave paralele serbe në katër komunat në veri. Këto struktura, sipas ekzekutivit, kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.