Kandidati i VLEN për komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta në emisionin “ZOOM” në TVM2 tha se pret që votat e anëtarësisë së BDI-së të përfundojnë në favor të tij. Thekson se kundërkandidati i tij është nga radhët e ASH-së, jo nga BDI.
“Nuk besoj se votuesi dhe anëtarësia e BDI-së do ia japin votën një personi i cili e ka shkatërruar Gostivarin për këto 8 vite”, ka thënë tutje Bejta.
Izet Mexhiti, një kuadër i shkëlqyeshëm
Lidhur me deklaratën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti se kinse Izet Mexhiti ka qenë kundër kandidaturës së tij në vitin 2013, Bejta demanton ashpër një tezë të tillë.
Ai madje ka fjalë të mëdha për Mexhitin, duke thënë se është një kuadër i shkëlqyeshëm.
“Nuk më kujtohet se Izet Mexhiti ka thënë një gjë të tillë. Duke e ditur besueshmërinë dhe autoritetin tim, ai ka dashur që unë të kem fitore të madhe në vitin 2013 dhe ajo ndodhi, kam pasur fitore shumë të madhe”, tha Bejta.
Gjithë qytetarët e Gostivarit e kanë numrin tim të kontaktit!
Për fund ai thekson se gjithë qytetarët e Gostivarit përafërsisht e kanë numrin e tij të kontaktit dhe se vjen për të bërë projekte të mëdha.
“Nuk vij për t’u afirmuar, vij për t’ju bërë shërbime të mira qytetarëve të mi dhe për të realizuar projekte të mëdha për të mirën e qytetarëve dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe do ketë shumë ndryshime të mëdha dhe do habiten edhe qytetarët e Gostivarit”, ka thënë ai.
