Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat njoftoi se në laboratorin e restaurimit të veprave të artit ka filluar puna për restaurimin e dy ikonave: ikona “Shën Mëria mbi fron” me autor Gjergj Johan Çetiri me prejardhje nga Kisha e Shën Thanasit, Karavasta, Lushnjë dhe ikona “Shën Mëria mbi fron” me autor Kostandin Zografi me prejardhje nga fshati Vanai i Fierit.
Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi, do të bëjnë të mundur nxjerrjen në dritë të këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi të një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore, shkruan ATSh.
Këto ikona janë pjesë e fondit të DRTK-Berat.
Më herët, Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat, ka njoftuar për përfundimin e restaurimit të ikonës “Fjetja e Shën Marisë”, një vepër me autor anonim, me prejardhje nga kisha e Profet Ilias dhe e dimensioneve të mëdha. Kjo ikonë i ofrohet tashmë e restauruar publikut të Muzeut të Ikonografisë Onufri duke pasuruar koleksionin e tij.