Nga Dega e Kryesisë së Gjirokastrës Berisha komentoi edhe çështjen Beleri dhe tensionet me shtetin fqinj, Greqinë.
Ndonëse protesta e thirrur nga opozita do të mbahet në të njëjtën orë me mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, Sali Berisha mohoi përpara Kryesisë së Degës së Gjirokastrës që ajo të ketë lidhje me vendimin që pritet të merret për fatin e imunitetit të tij.
“S’ka lidhje, absolutisht. Nuk protestojmë për personin, protestojmë strikt kundër grushtit të shtetit brenda shtetit që po bën Edi Rama duke marrë pushtetin e parlamentit. Shkoi në parlament për t’iu imponuar parlamentit. Vendimin e tyre antikushtetues me rëndim mase. Këto protesta do të jenë të pandërprera tani”.
Ende nuk ka marrë një vendim nëse të hënën do jetë përballë anëtareve të Këshillit të Mandateve si dhe prokurorëve të SPAK-ut, por i sigurt është kur thotë se do respektojë cdo vendim të parlamentit.
“Çfarëdo vendimi të marrë Parlamenti unë do e pranoj”.
Ndryshe nga kryeministri, nuk e sheh aspak Belerin si çështje të Greqisë, duke i cilësuar të drejta e ligjore kërkesat e Kryeministrit grek Mitsotakis.
“Është një mashtrim i mafiozit Edi Rama. Ti zotëri në qoftë se pretendon se Beleri ka kryer krim ta bëjë betimin dhe dënoje me proces gjyqësor dhe kur të vendoset dënimi merrja mandatin”.
Sërish ndahet me Edi Ramën kur flet për vijën e kuqe që sipas tij e detyroi Brukselin të ngelë përsëri në klasë Shqipërinë, duke mos hapur kapitullin e parë të negociatave.
“Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian përcaktoi kusht të parë dialogun politik. Ky ishte kartoni i kuq që mori kllouni”, tha ai.
Edhe njëherë ripërsëriti se opozita nuk do të ndalet nga beteja e saj brenda dhe jashtë parlamentit, duke ftuar shqiptarët të bashkohen në misionin për mbrojtjen e demokracisë dhe votës së lirë.
Tv Klan
