Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e “Foltores” në Manzë (Durrës), ku edhe bashkëbisedoi me qytetarë dhe simpatizantë.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te lufta kundër korrupsionit, që sipas tij garantohet vetëm kur kryeministri nuk është i korruptuar.
Berisha tha se gjatë qeverisjes së tij asnjë ministër nuk u mbrojt nga drejtësia.
“Korrupsioni, ta marrim korrupsionin. Kudo ka një korrupsion të caktuar. Por, aty ku kryeministri, presidenti janë të pakorruptuar, aty lufta kundër korrupsionit është e garantuar. Pra, gjatë viteve të periudhës sonë, cili nga ju mund të imagjinonte demokrate e demokratë në këtë sallë që të kërkonte prokurori heqjen e imunitetit të ministrit dhe t’i dilja unë përpara, t’i dilte kryeministri përpara dhe t’i bllokonte, kurrë. Kurrë!
“Po pse? Se prokurori – prokurori me të drejtë apo me të padrejtë – me aktin e tij po ju mbronte ju, po mbronte interesat tuaja, po mbronte paratë tuaja, po mbronte taksat tuaja. Dhe vetëkuptohet, kryeministri s’mund të ishte kurrë në anën tjetër. Çdo imunitet që kanë kërkuar është vetëdorëzuar nga ministrat sepse e dinin, e dinin që nuk ka imunitet”, tha Berisha.
Berisha përmendi rastin e Ilir Metës, gjatë kohës kur ky i fundit ishte zëvendëskryeministër, i cili dha dorëheqjen, pas shfaqjes në një video ku dyshohej për korrupsion.
“Ja të rikthehemi bashkë janarit të 2011-ës. Edi Rama publikon një video ku thotë: përmenden në bisedë e sipër Ilir Meta për një ryshfet 700 mijë eurosh. Ta them unë ju. Ymer Tole, biznesmen, kishte fituar gjyqin me një biznesmen italian dhe tani kërkonte ministrit të fillonte punën dhe i shkruante: zoti ministër, gjatë kësaj kohe që kam fituar gjyqin e gjerë sot sipërmarrja ime ka humbur 700 mijë euro. Kjo ishte historia e 700 mijë eurove. Megjithatë e kishin manipuluar, siç është provuar. Çfarë bëri Ilir Meta? Jo, nuk tha që prit një herë të sqarohet. Jo, më erdhi në zyrë dhe më tha: “Unë do jap dorëheqjen”. S’kishte kërkuar fare prokuroria dorëheqjen.
“Në datën 15 erdhi tek unë dhe dha dorëheqjen, sepse tha: “S’ka sepse. Unë nuk do shkoj tek hetuesi i thjeshtë të paraqitem si zëvendëskryeministër. Ai duhet të më hetojë mua si çdo qytetar tjetër. Pra, ishte një standard krejt tjetër. Dhe ju them unë ju, kjo është arsyeja pse ne erdhëm edhe pas 35 vitesh të pamposhtur, se ne zbatuam, iu përmbajtëm disa parimeve të moralit, të ligjit dhe të nderit”, tha Berisha.
Berisha shtoi se gjatë qeverisjes së tij numri i të dënuarve për korrupsion ishte tri herë më i madh se sot.
“Kanë dënuar në dy vite 199 persona, janë dënuar në dy vite 630 zyrtarë. Ministra? Jo, ministrat nuk kishin të bënin me tenderët se atë e hoqëm, atë e hoqëm që javët e para ne në qeveri ligjin: ministri nuk mund të jetë kryetari i autoritetit kontraktues”, tha Berisha.
