29.2 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Bexheti: ‘Xhungla’ e vërtetë urbanistike është në Çair

Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ndaj akuzave për kaos urbanistik në Shkup, duke i quajtur të pabaza dhe duke ia kthyer vëmendjen tek gjendja në Komunën e Çairit, informon POPULLI.mk

“Të flasësh për ‘xhungël urbanistike’ në Shkup dhe të përpiqesh të ma adresosh mua, është po aq qesharake sa të fajësosh të tjerët për oborrin e shtëpisë sate të shkatërruar”, deklaroi Bexheti.

Ai theksoi se “xhungla” e vërtetë urbanistike gjendet në Çair, ku sipas tij ka dhjetëra ndërtime pa leje, kaos urbanistik, mungesë infrastrukture dhe plane që mbeten vetëm premtime elektorale.

“Mjafton një shëtitje në Çair ose një pyetje e thjeshtë ndaj çdo qytetari për të parë kush e ka shndërruar komunën në një labirint betoni pa rregulla,” shtoi ai.

Bexheti akuzoi drejtuesit e kaluar dhe aktual të Çairit për keqmenaxhim, duke theksuar se ata që “e sunduan si pronë private” tani përpiqen të japin leksione morali.

“Në politikë është e lehtë të akuzosh kur nuk ke asnjë punë për të mbrojtur. Por qytetarët e dinë mirë kush ka ndërtuar dhe kush ka vetëm gënjyer. Fjalët ikin, faktet mbesin”, përfundoi Bexheti.