7.8 C
Skopje
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Brukseli nuk pa takim tre-palësh, Kurti i vendosi tri kushte

Takimet bilaterale të mërkurën në Bruksel përfunduan pa takim trepalësh, siç u paralajmërua. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi tri kushte. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq insistoi sërish te pika e ‘nxehtë’, Asociacioni. E shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kërkoi zbatim paralel, Kosova të nis procesin drejt Asociacionit, derisa Serbia të nis njohjen e dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucioneve të Kosovës.

Borrell e konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot. Kryeministri Kurti ka dorëzuar tre kushte për angazhimin e tyre në procesin e normalizimit.

Citoj, e para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Gjatë konferencës për media, Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa, presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.

Gjatë takimeve të ndara me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.

“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.

Para takimit, BE-ja ka paraqitur një propozim të ri për planin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që palët arritën vitin e kaluar.

Borrell tha se “fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendroheshin në veprime konkrete të zbatimit nga palët sot”.

“Tani u takon palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të lëvizë përpara. Kjo është në interesin e tyre dhe është në interesin e aspiratave të tyre për integrim evropian”, tha Borrell.

Borrell po ashtu konfirmoi se Lajçak do të presë në takim kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit të Marrëveshjes, por edhe për çështje të tjera të dialogut.

Kurti: S’mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka kërkuar “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë më 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska, ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë që mundëson zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar.

E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial, si dhe garancia e tretë është dorëzimi i Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti po ashtu u pyet nëse mund të ketë Asociacion pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Marrëveshja Bazë e ka në qendër njohjen de facto, së paku. Çështja e Asociacionit është çështje e trashëguar. Mirëpo, ajo mund të adresohet në nenin 7 dhe 10 të Marrëveshjes Bazë, e cila është më e madhe, më e thellë dhe më e lartë se gjithçka që është bërë deri më tani. Dhe për këtë ne jemi shumë të lumtur dhe dëshirojmë ta zbatojmë”, tha Kurti.

Çka deklaroi Vuçiq, i cili i konsideroi “të suksesshme” takimet në Bruksel?

Vuçiq para mediave në Bruksel tha se Kurti “nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë”.

Ai tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur.

“Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Takimi i fundit trepalësh mes Kurtit e Vuçiqit me ndërmjetësit evropianë ishte mbajtur në shtator të vitit të kaluar, para Banjskës.

Burimi © SYRI.net

Të ngjajshme

Të fundit