4.8 C
Skopje
E shtunë, 28 Mars, 2026

Bytyqi: Zgjidhja është e njëjta metodologji për paga për të gjithë në sektorin publik

Pagat në sektorin publik rregullohen me mbi 200 akte të ndryshme – ligje apo akte nënligjore dhe më duhet të pranoj se dikush ka dashur qëllimisht të mos kujdeset për ne. Zgjidhja është e njëjta metodologji e pagave për të gjithë në sektorin publik, theksoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi.

“Pse u bë, konkluzionin mund ta nxirrni vetë, por konkluzioni im si qytetar i këtij vendi është se dikush e ka bërë qëllimisht që të mos ketë sistem dhe zgjidhje të qëndrueshme, por mjet për të manipuluar jetën e njerëzve në vendin tonë. Aktualisht jemi drejt fundit të negociatave me sindikatat për marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe metodologjinë e re të pagave, e cila do të jetë në përputhje me të gjitha ligjet në vend. Fatkeqësisht, më duhet të pranoj se dikush ka dashur qëllimisht të mos kujdeset për rregullimin e sistemit të pagave në sektorin publik në vendin tonë”, tha Bytyqi në përgjigje të një pyetjeje para fillimit të Forumit afarist të Maqedonisë dhe Finlandës të organizuar nga Oda Ekonomike.

Ai tregoi se pajtohet me sindikatat që bazë për llogaritjen e pagës të jetë mesatarja dhe që paga e rritur të fillojë të paguhet sa më parë.

“Mendoj se organizatat sindikale besuan se ne nuk do ta pranonim këtë. Në mbledhjen e fundit e pranuam propozimin e tyre. Natyrisht, duke qenë se ishte vetëm një propozim pa asnjë përllogaritje financiare, thamë që së bashku të përcaktojmë koeficientët e kompleksitetit të të gjitha punëve në të gjithë sektorin publik. Mendoj se duhet ta bëjmë sa më shpejt dhe duhet të fillojmë menjëherë të shikojmë mundësitë për ta realizuar edhe këtë vit”, tha Bytyqi.

Nuk mund të pritet, shtoi ai, që menjëherë të arrijmë objektivin real, që është rritja e plotë e pagave sot, tani për 50, 60, 70, 80 për qind, siç besojnë organizatat sindikale.

Zgjidhja, siç tha, është e njëjta metodologji pagese për të gjithë në sektorin publik.

“Kjo do të thotë për bashkëqytetarin tim që punon në pozitën më të ulët dhe për presidentin e shtetit, përfshirë edhe kryeministrin e shtetit – të njëjtën metodologji pagash që do të harmonizohet me sindikatat. Kur ta bëjmë këtë, drejtësia, barazia dhe solidariteti do të tregohen në veprim”, theksoi Bytyqi.

Ai tha se dëshira e tij është që të ketë një zgjidhje sistematike për Ligjin për pagën minimale dhe ligjin për pensionet.

Ai tha se na duhet ende pak kohë për të arritur një zgjidhje sistematike, por shtoi se rezistenca është e madhe nga të gjitha palët e interesuara sepse, siç tha ai, nuk jemi mësuar me zgjidhjen sistematike të problemeve.

I pyetur se me cilin ligj punonjësit e Ministrisë së Financave kanë marrë rritje retroaktive prej 30 për qind, ai saktësoi se kjo është bërë në përputhje me Ligjin për buxhetin organik dhe shtoi se nuk është paguar në mënyrë retroaktive, sepse ligji ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe ka pasur kërkesë për të një interpretim autentik nga Kuvendi që është bërë ndërkohë për shkak të të cilit janë paguar pagat e rritura.

Sa i përket të punësuarve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, të cilët po ashtu kërkojnë rritje të pagave prej 30 për qind, ai tha se janë punëtorë tatimorë dhe se aktiviteti i tyre është përcaktuar me një ligj tjetër.

Të ngjajshme

Të fundit