25.4 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

“Çairi u izolua, ti ndërtove karrierë”, Ganiu akuzon Osmanin për sabotim politik

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar ashpër ndaj kandidatit të BDI-së për këtë komunë, Bujar Osmani, i cili së fundmi ka nisur fushatën për zgjedhjet e 19 tetorit. Në një status publik, Ganiu e akuzon Osmanin se fushatën po e zhvillon “në mënyrë klandestine” dhe me “video klipe të zbrazëta” që, sipas tij, tregojnë se ai është “një i huaj për Çairin dhe një karrierist i vetmuar”, transmeton POPULLI.mk 

Ganiu thekson se gjatë kohës që Osmani ndërtonte karrierë personale dhe fotografohej me zyrtarë botërorë, Çairi jetonte i izoluar nga politika e partisë së tij. Ai e akuzon Osmanin dhe eksponentë të tjerë të BDI-së, përfshirë Artan Grubin, se kanë sabotuar projektet e komunës duke mos lejuar asnjë donacion apo mbështetje shtetërore për Çairin.

“Komuna e Çairit ka ‘tabelën e turpit të Qeverisë’, ku janë të regjistruara të gjitha sabotazhet dhe obstruksionet që keni ushtruar kundër Çairit. Këtë tabelë do ta vendosim para Komunës, që herën tjetër kur të vini për video, të mësoni për keqbërjet tuaja,” shkruan Ganiu.

Ai rikujton edhe episodet e fushatave të kaluara, ku sipas tij Çairi u etiketua si “Kandahar” dhe përmend manifestimin me “valixhe dhe muzikë” që, sipas tij, BDI organizoi për të festuar “fitoren” në zgjedhjet e kaluara.

Në fund, Ganiu thekson se Çairi ka nevojë për “menaxherë të suksesshëm, jo për karrieristë të dalldisur që luajnë futboll nëpër zyrat e paguara me paratë e popullit”, duke shtuar se komuna që ai drejton “nuk ka vota për politikanë si Bujar Osmani”. / © POPULLI.mk