3.8 C
Skopje
E premte, 16 Janar, 2026

Çfarë kërkon SHBA, e çfarë BE-ja nga Maqedonia e Veriut!?

Siguria në Evropë, konkurrenca e ekonomive, tranzicioni i energjisë dhe sundimi i ligjit janë prioritetet e presidencës suedeze të BE-së, deri në qershor të këtij viti. Ambasadori i Suedisë në vend, Larson Jain, theksoi para Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane se zgjerimi i Unionit nuk do të lihet jashtë, por kërkoi reforma.

“Reformat në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe sistemin gjyqësor, si dhe një angazhim i fortë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, janë çelësi për të ecur përpara drejt integrimit evropian”, tha Ami Larsson Jain – Ambasador i Suedisë.

Ambasadori evropian David Gir kërkoi që procesi i reformës të bëhet projekt kombëtar dhe të përfshihen të gjitha institucionet dhe partitë politike.

“Koha nga tani deri në zgjedhjet e vitit 2024, duhet të përdoret për të bërë pikërisht këtë, për të shtyrë përpara ato reforma shumë të nevojshme, që ne të gjithë e dimë se cilat janë dhe çfarë duhet bërë”, deklaroi David Gir- Ambasador Evropian.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës kanë vijuar të bindin njëri-tjetrin për ndryshimet kushtetuese, të cilat nëse nuk miratohen, pengojnë hapjen e klasterëve negociues.

“Kemi mjaft kohë dhe hapësirë për të përfunduar me sukses ndryshimet kushtetuese, për të ruajtur dinamikën e procesit të negociatave dhe për të shmangur një veto të re, këtë herë nga vetë ne, pritje të sërishme dhe duke e vënë shtetin në një qorrsokak dhe pasiguri”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

“Mendoj se duhet respektuar mendimi i shumicës, mbi të gjitha i popullit maqedonas, sepse çështjet që kanë të bëjnë me Bullgarinë ndikojnë drejtpërdrejt në pjesën e vetëvendosjes së popullit maqedonas, ku ka gjëra që populli thjesht mendon se nuk duhet të pranohen”, u shpreh Aleksandar Nikolovski – VMRO-DPMNE.

Ambasadorja amerikane, Angela Ageler, tha se funksionarët e zgjedhur duhet të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre, dhe të bëjnë ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë një lëvizje më të shpejtë në rrugën evropiane.(Alsat)

Të ngjajshme

Të fundit