15.8 C
Skopje
E mërkurë, 22 Tetor, 2025

Cila është Aleanca (e vërtetë) për Shqiptarët ?

Aleanca për Shqiptarët, dikur simbol i shpresës për përfaqësim dinjitoz dhe alternativë ndaj politikës së vjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sot ndodhet e ndarë në tre grupacione që garojnë për legjitimitetin dhe drejtimin e saj, shkruan POPULLI.mk

Ziadin Sela – Njeriu me vulën, por jo me shumicën

Ziadin Sela, themeluesi i partisë, mban sot vulën dhe emrin e ASH-së në aspektin formal dhe juridik. Ai përfaqëson një fraksion që ka mbetur më shumë në planin e simbolikës dhe të trashëgimisë politike, por që është politikisht i izoluar dhe me ndikim të kufizuar në terren. Ndonëse mban emrin, nuk mban shumë më zemrat e shumicës që dikur e ndërtuan këtë lëvizje me të.

Arben Taravari – Kryetari pa vulë, por me numër të konsiderueshëm të ish-strukturave

Arben Taravari, kryetar i ASH-së pa vula, drejton një grup që përfshin aktualisht 3 deputetë, funksionarëve lokalë dhe aktivistëve të partisë. Edhe pse i privuar nga vula zyrtare, ai gëzon mbështetjen në terren dhe së fundi doli nga Qeveria për tu rikthyer në opozitë. Grupi i tij sot funksionon më tepër si një subjekt në hije, por me peshë reale politike.

Arben Fetai dhe grupi reformist – pjesë e VLEN-it, kundër bashkëpunimit me BDI-në

Arben Fetai dhe një grup reformistësh, të cilët kishin hyrë në ASH me vizion modernizues dhe pro-evropian, sot janë brenda VLEN-it por pa vula të partisë. Ata janë bashkuar me koalicionin VLEN dhe përfaqësojnë një drejtim më të qartë europianist, të fokusuar në reforma dhe integritet, duke e parë të kaluarën me ASH-në e Selës dhe Taravarit si një kapitull të mbyllur për shkak që këto të dy grupet janë tanimë në opozitë dhe në bashkëpunim me BDI-në!

Si do të funksionojë ASH-ja e ndarë në tri grupacione?

Sot, Aleanca për Shqiptarët funksionon si një parti me tre koka:

Një kokë juridike (Ziadin Sela),

Një kokë politike e gjallë në terren (Arben Taravari),

Dhe një kokë reformiste e orientuar kah e ardhmja (Arben Fetai me VLEN-in).

Ky realitet e ka zhbërë përmbajtjen e ASH-së si një forcë unike dhe e ka shndërruar atë në një simbol të ndarjes, jo të bashkimit. Mungesa e një qendre të vetme vendimmarrëse dhe orientimi i ndryshëm politik i secilit grup, e bën funksionimin e saj të pamundur si një trup i vetëm politik.

A ka të ardhme një parti me tre koka?

Në një realitet politik ku qytetarët shqiptarë kërkojnë qartësi, drejtim dhe unitet, një parti me tre koka është jo vetëm jofunksionale, por edhe e papranueshme për elektoratin. Pa një reformim të thellë ose ndarje të qartë rrugësh, Aleanca për Shqiptarët rrezikon të mbetet një kujtim nostalgjik për një projekt që kishte potencial, por nuk pati maturinë për t’u unifikuar në kohë krize.

© POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit