Pyetja se kur do të ndalet keqpërdorimi i parave publike nga komunat është po aq e vjetër sa edhe vetë tranzicioni institucional i Maqedonisë së Veriut. Skandale të njëpasnjëshme, investime pa efekt dhe mungesë llogaridhënieje kanë krijuar një perceptim të qëndrueshëm se buxhetet komunale janë më shumë burim pushteti sesa mjet shërbimi për qytetarët. Në këtë kontekst, reformat në menaxhimin e financave publike si pjesë e Agjendës Reformuese, paraqiten si një mundësi reale për të ndryshuar rregullat e lojës. Ndryshe, vendi ndryshoi emrin por kurrsesi nuk po arrin të çrrnjos këtë praktiktë të dëmshme, shkruan Zhurnal.
Korrupsioni në pushtet lokal mund të ndalet –
Blagica Petreski, drejtoreshë ekzekutive e Finance Think, argumenton se miratimi i ligjit për menaxhimin e financave publike do të kufizojë ndjeshëm hapësirën për abuzime. Ajo e shpjegon qartë thelbin e reformës.
“Çfarë do të thotë ky ligj? Çfarë do të thotë menaxhimi i financave publike? Menaxhimi i financave publike do të thotë se komuna nuk do të mund t’i keqpërdorë paratë publike, pra mënyra se si do të menaxhohen paratë publike do të rishikohet dhe që të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë do të duhet që në nivel vjetor 80% e tyre t’i nënshtrohen auditimit. Kjo do të thotë se brenda institucionit do të duhet të ketë auditorë të trajnuar, që nënkupton se cilësia e administratës publike duhet të rritet, jo vetëm në aspektin numerik, por që ata të jenë edhe të certifikuar dhe në fund të vitit të paraqesin auditim të brendshëm, gjë që e ngushton hapësirën për keqpërdorime”, tha Petreski.
Ky deklarim e zhvendos debatin nga retorika politike te mekanizmat konkretë. Auditimi i detyrueshëm për 80% të shfrytëzuesve buxhetorë nuk është thjesht një shifër teknike, është një mjet presioni institucional që e bën çdo vendim financiar të kontrollueshëm dhe të dokumentuar. Kur ekziston kontroll i brendshëm profesional dhe i certifikuar, përgjegjësia individuale nuk mund të fshihet pas strukturave kolektive.
Megjithatë, ligji në vetvete nuk është garanci absolute. Përvoja ka treguar se reformat shpesh dështojnë jo për shkak të përmbajtjes por për shkak të zbatimit selektiv. Nëse auditorët e brendshëm do të jenë formalisht të emëruar, por realisht të varur politikisht, atëherë auditimi rrezikon të shndërrohet në një procedurë burokratike pa efekt real. Prandaj, rritja e cilësisë së administratës publike, siç thekson Petreski, është po aq e rëndësishme sa edhe vetë ligji.
Keqmenaxhimi i resurseve publike nënkupton edhe mungesë zhvillimi –
Kjo tregon se keqmenaxhimi i financave publike nuk është vetëm çështje e shpenzimit, por edhe e mbledhjes së të ardhurave. Një shtet që nuk arrin të formalizojë aktivitetin ekonomik humb miliarda potenciale të cilat më pas mungojnë në sektorë kyç si shëndetësia, arsimi apo infrastruktura lokale.
Në këtë kuptim, reformat në menaxhimin e financave publike duhet parë si pjesë e një zinxhiri më të gjerë transparencë në shpenzim, efikasitet në mbledhje dhe llogaridhënie në çdo nivel. Vetëm kështu komunat do të shndërrohen nga qendra shpenzimi në motorë zhvillimi lokal.
Pra, kur nuk do t’i keqpërdorin komunat paratë publike? Jo thjesht kur të miratohet ligji, por kur ai të zbatohet pa kompromis politik kur auditimi të jetë real dhe jo formal dhe kur qytetarët media dhe shoqëria civile ta shohin transparencën jo si favor, por si të drejtë.
Kujtojmë që, reformat e propozuara janë një hap i rëndësishëm përpara por testi i vërtetë do të jetë në praktikë nëse do të guxojë sistemi të kontrollojë vetveten dhe të ndëshkojë abuzimin, pa marrë parasysh se kush është në pushtet. Vetëm atëherë, përgjigjja do të jetë bindëse dhe në këtë formë progresi është i garantuar. /Zhurnal.mk
