Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot u takua me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Pas takimit, kreu i ASH-së deklaroi se kanë folur për çështje programore dhe se kanë arritur t’i përputhin aspektet programore për hyrjen eventuale të ASH-së në qeveri.
Në takim, sipas shërbimeve qeveritare, Kovaçevski dhe Taravari kanë biseduar për shumë tema aktuale lidhur me përcaktimet strategjike të shtetit, ndërsa në fokus të bisedimeve, siç thuhet, ka qenë edhe lufta kundër korrupsionit si dhe procesi i skriningut, përcjell Klan Macedonia.
Duke pasur parasysh harmonizimin programor dhe përkushtimin për arritjen e qëllimeve prioritare të shtetit, Kryeministri Kovaçevski dhe Taravari diskutuan dhe ranë dakord për rëndësinë e promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat janë karakteristikë e politikës dhe diplomacisë maqedonase ndër vite, , me qëllimin përfundimtar – kohezionin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, por edhe përparimin dhe zhvillimin e ardhshëm të shpejtë të shtetit. Gjithashtu, Kryeministri Kovacevski dhe Taravari diskutuan për trajtimin efikas të krizës energjetike dhe ekonomike, zhvillimin ekonomik si dhe miratimin e ligjeve reformuese që nënkuptojnë përmirësimin e funksionimit të shtetit si zgjidhje ligjore për kontrollin financiar publik, parandalimi i abuzimit me balancuesin, mbrojtja e kategorive tw cenueshme të qytetarëve, si dhe ligji për Qeverinë, por edhe fuqizimi institucional i Byrosë së Zhvillimit Rajonal”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Nga qeveria thonë se do të vazhdojnë takimet e punës së kryeministrit me partitë politike parlamentare dhe joparlamentare, ku fokusi është vazhdimi i rrugës evropiane dhe marrja e vendimeve ekskluzivisht në interes të qytetarëve dhe shtetit./KlanMacedonia
