35.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Çmimet në rritje, paga minimale 400 euro! A është e mjaftueshme ?!

Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale është tani 400 euro, një shumë e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë të një familjeje, sidomos në kohën kur çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë në rritje të vazhdueshme.

Shkruan POPULLI.mk

Qytetarët përballen me sfida të mëdha ekonomike, teksa përveç ushqimit, duhet të paguajnë faturat e rrymës, ujit, telefonit, karburantit për veturë, shkollimin e fëmijëve, qiranë e banesës dhe barnat për të sëmurët.

Sipas analizave, një familje mesatare ka nevojë për të paktën 800 deri në 1,000 euro në muaj për të mbuluar shpenzimet bazë, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë jeton me më pak se gjysma e kësaj shume. Kjo e detyron një pjesë të madhe të qytetarëve të kërkojnë punë shtesë, të marrin hua ose të heqin dorë nga disa nevoja esenciale, ose të largohen nga vendi për një jetë më të mirë diku në Evropë!

Vetëm në vitin e fundit, çmimi i produkteve ushqimore është rritur me mbi 20%, ndërsa faturat e energjisë dhe karburantet vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetin e qytetarëve. Për një familje me një fëmijë, vetëm ushqimi dhe faturat mujore mund të konsumojnë të gjithë pagën minimale, duke lënë shumë pak hapësirë për shpenzime të tjera jetike.

Ata që nuk kanë një shtëpi të tyre përballen me qira të shtrenjta, të cilat në Shkup mund të arrijnë nga 200 deri në 400 euro në muaj, varësisht nga zona. Për shumë familje, kjo do të thotë se paga minimale nuk mjafton as për të siguruar një vend për të jetuar, e lëre më për shpenzime të tjera.

Ekspertët dhe sindikatat vazhdojnë të kërkojnë një rritje të pagës minimale, e cila duhet të përputhet me shpenzimet reale të jetesës. Po ashtu, mbështetja shtetërore për familjet me të ardhura të ulëta dhe subvencionet për produktet bazë janë të domosdoshme për të parandaluar varfërinë e thellë.

Nëse nuk ndërmerren masa urgjente, hendeku mes të ardhurave dhe kostos së jetesës do të thellohet edhe më shumë, duke e bërë mbijetesën një sfidë të përditshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. / © POPULLI.mk